Marrja e sasisë së duhur të kalçiumit çdo ditë është thelbësore për ruajtjen e shëndetit të kockave gjatë gjithë jetës.

Informacione Bazë Mbi Kalçiumin

Kalçiumi është një nga mineralet më të domosdoshme në organizëm.

Ai është i nevojshëm për enët e gjakut, funksionet e muskujve, komunikimin nervor, hormonet.

99 përqind e kalçiumit që gjendet në organizëm ruhet në kocka dhe dhëmbë dhe pjesa e mbetur përdoret për funksionet e lartpërmendura.

Gjatë gjithë jetës, kockat i nënshtrohen një procesi të vazhdueshëm rimodelimi dhe kalçiumi përthithet dhe depozitohet në kockat e reja ose aty ku ka më shumë nevojë.

Ekuilibrat mes përthithjes dhe depozitimit të kalçiumit ndryshojnë në varësi të moshës, sipas informacioneve të AgroWeb.org.

Përthithja është më e lartë në fëmijëri dhe adoleshencë ndërkohë që pas kësaj periudhe përthithja dhe depozitimi i kalçiumit është i ekuilibruar.

Sasia e Nevojshme Ditore E Kalçiumit

Duke qenë se kalçiumi nuk prodhohet në organizëm ai duhet marrë kryesisht nëpërmjet ushqimit.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org disa ushqime në veçanti plotësojnë shumë prej nevojave ditore për kalçium.

Qumështi dhe produkte të tjera të bulmetit janë shumë të pasur me kalçium.

Megjthatë, kalçiumi gjendet edhe tek brokoli, arrorët, produktet e sojës, barishtet e ndryshme dhe në veçanti tek spinaqi.

Ekspertët thonë se sasia ideale ditore e kalçiumit duhet të jetë 1,000 miligramë.

Kjo sasi mund të merret mjaft mirë duke pasur një regjim të balancuar ushqimor.

Një gotë me qumësht apo me kos ofron 300 miligramë kalçium.

Të moshuarit ose njerëzit e prekur nga osteoporoza kanë nevojë për më shumë kalçium.

Këtë nevojë ata mund ta plotësojnë duke marrë edhe suplementë shtesë.

Njerëzit që nuk kanë tolerancë të lartë ndaj laktozës apo produkteve të bulmetit, mund të marrin 400 deri në 500 miligramë kalçium në ditë.

Rrjedhimisht në këtë rast nevoja për suplement është e pashmangshme.

Megjithatë, nuk duhet abuzuar me suplementët e kalçiumit.

Ekspertët rekomandojnë që në këto raste të merret vetëm një kapsulë në ditë, sipas rekomandimit të mjekut./AgroWeb.org