Rriten Çmimet e Ushqimeve dhe Produkteve Bazë

370 0

Muaji maj ka shënuar një rritje të përgjithshme të çmimeve në vend. Inflacioni, që mat ndryshimin vjetor të një shporte mallrash në maj ishte 2,1 %, raportoi INSTAT.

Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,5 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin maj 2020, krahasuar me prill 2020 është -0,8 %.

Një sërë artikujsh kanë rezultuar me rritje, ku më kryesoret janë ushqimet, pijet alkoolike dhe cigaret, komunikimi me celular, qiraja, furnizimi me ujë, tapetet, mallra dhe shërbime për mirëmbajtje shtëpie, pajisje audiovizuale, fotografike, dhe riparimi i tyre, gazetat etj.

Në rritje kanë qenë dhe akomodimi në hotele, si dhe çmimet në restorante e kafene.

Rritja e Çmimit të Ushqimeve  

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,81 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,29 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,11 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Komunikimi”, “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili.

Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje secili.

Ndryshimet Vjetore 

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin maj 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,9 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 2,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,9 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6 %, “Komunikimi” me 0,4 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 %, “Shërbimi arsimor” me 0,2 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 3,7 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,7 % dhe “Shëndeti” me 0,6 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 23,7 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 6,6 %, “vajra dhe yndyrna” me 5,1 %, “peshk” me 4,5 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 3,7 %, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Prill 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 2,1 %,  pasuar nga grupet “Transporti” me 0,7 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %, “Argëtim dhe kulturë” me 0,4 % dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,1 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Komunikimi” u rritën me 0,8 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili./Monitor