Si Të Ruani Brokolin Për 6 Muaj – Për Ta Shijuar Të Freskët Dhe Me Vlera

1.1k 0

Brokoli është një nga perimet më të mira të stinës, e pasur në vlera ushqyese ashtu si edhe në shije.

Duke qenë se është një perime sezonale (nga tetori deri në muajin prill), muajt e tjerë të vitit atë ose e gjejmë shumë shtrenjtë ose nuk e gjejmë fare.

Por AgroWeb.org do t’ju sjellë më poshtë dy metoda se si të ruani brokolin në frigorifer për ta shijuar dhe ta patur atë në ushqimet e gatimet tuaja për gjatë gjithë vitit.

Metoda e Parë

Metoda e parë ka të bëjë me zierjen e brokolit e më pas përgatitjen për ta ngrirë dhe ruajtur në frigorifer.

Si fillim, brokolit ndajini në degëza por jo shumë të vogla.

Lajini mirë me ujë të bollshëm.

Vendosni një tenxhere me ujë të ziejë në zjarr.

Sapo uji të nisë të vlojë fusni brokolin të ziejë për vetëm 3 minuta.

Bëni kujdes që ta lini vetëm 3 minuta dhe më pas menjëherë brokolit kullojini dhe vendosni në një enë me ujë me akull për 30 minuta në mënyrë që procesi i zierjes së brokolit të përfundojë menjëherë.

Më pas kullojini nga uji me akull dhe thajini me një pecetë.

Më pas, degëzat e brokolit futini në qese frigoriferi (qese që mbyllet hermetikisht). Futini në frigorifer në zonën e ngrirjes.

Metoda e Dytë

Metoda e dytë ka të bëjë me përgatitjen e brokolit në avull.

Procesi i përgatitjes së brokolit në avull është një metodë shumë e shëndetshme për të ruajtur vlerat e kësaj perimeje.

Mjafton të vendosni një tenxhere me dy-tre gota ujë në zjarr dhe pak kripë.

Sapo uji të nisë të vlojë, vendosni në tenxhere një kullesë metalike me vrima (si ajo e makaronave) dhe në të vendosni degëzat e brokolit.

Mbylleni me kapak dhe lëreni të gatuhet për 5 minuta fiiks. Pë pas kullojini menjëherë dhe kalojini në një enë me ujë dhe akull për 30 minuta.

Më pas kullojini nga uji me akull dhe thajini me një pecetë.

Më pas, degëzat e brokolit futini në qese frigoriferi (qese që mbyllet hermetikisht). Futini në frigorifer në zonën e ngrirjes.

Me këto dy metoda mund t’i ruani brokolit për 6 muaj./ AgroWeb.org