Perimet dhe zarzavatet janë pjesë e pandashme e një regjimi të shëndetshëm ushqimor në të mirë të trurit dhe trupit.

Mënyrat e konsumit të tyre janë aq të larmishme, sa perimet nuk bëhen kurrë të mërzitshme.

Një prej tyre është pjekja e perimeve dhe më pas transformimi i tyre në një salcë të shijshme dhe mjaft interesante, recetën e të cilës AgroWeb.org e sjell më poshtë.

Salca është një produkt që plotëson më së miri shume gatime të ndryshme.

Salca Me Perime Të Pjekura

Përbërësit

2 domate të mëdha të ndara në gjysma

1 qepë e kuqe e ndarë në gjysmë

1 patëllxhan

1 kungulleshkë

Gjysëm qepe e bardhë

2 speca jeshilë të ndarë në dysh dhe të pastruar nga farat

1 spec djegës jeshil i ndarë në gjysëm dhe i pastrar nga farat

1 kokërr hudhër e qëruar dhe e prerë

2 lugë gjelle me vaj ulliri

1 limon jeshil

Gjysëm gote me majdanoz të prerë hollë

Dy lugë gjelle me lëng limoni jeshil

1 lugë çaji me piper të zi

Kripë sipas dëshirës

Përgatitja

Ndizeni skarën ose furrën në një temperaturë mesatare. Nëse përdorni furrën, ndizeni atë në 200 gradë.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni fetat e domates, kungulleshkaës, patëllxhanit, qepës, specave, hudhrën e larë me gjithë lëkurë dhe limonit jeshil në një tas të madh

Spërkatini me vaj ulliri, kripë dhe piper dhe më pas vendosini në skarë ose në furrë duke përdorur një letër alumini.

Piqini perimet për 10-15 minuta duke ndërruar anë për të garantuar një pjekje të plotë.

Hiqini nga skara ose nga furra dhe lërini në një tabaka që të ftohen.

Pasi të jenë ftohur, AgroWeb.org ju udhëzon të hiqni cipën hollë të hudhrës, të domates, specave dhe qepëve.

Limonin e pjekur shtrydheni lehtë dhe lëngun  hidheni direkt në mikser.

Në këtë recetë rekomandohet vetëm lëngu i limonit sepse tuli dhe lëkura e bëjnë salcën të athët.

Shtoni në mikser perimet dhe lëngjet, shtoni majdanozin dhe miksojini përbërësit deri sa salca të arrijë trashësinë e preferuar.

Shtoni lëngun e limonit jeshil, piperin e zi dhe kripë dhe miksojini edhe një herë të fundit.

Nëse dëshironi salcën mund ta përgatisni edhe pa mikser mjafton që të shtypni të gjithë përbërësit si më sipër dhe si përzjeni mirë derisa masa të bëhet homogjene.

Transferojeni salcën në një kavanoz qelqi dhe servireni të ftohtë pas disa orësh.

Kjo salcë kombinohet shumë mirë me mishra të ndryshëm por edhe byrekë, bukë të thekur etj./AgroWeb.org