Përtej shijes fantastike, vlerat e jashtëzakonshme të lakrës së bardhë për shëndetin, janë arsyeja kryesore përse ajo s’duhet të mungojnë asnjëherë në kuzhinën e çdo familjeje.

Lakra e bardhë është plot me vlera shëndetësore. Ajo përmban fibër, një sasi domethënëse të vitaminave C dhe K, si dhe pasuron sistemin imunitar me hekur.

Nga ana tjetër specat përmbajnë shumë vitaminë C, më shumë sesa limonët, ndaj konsumi i tyre i bën shumë mirë organizmit.

Ndaj dhe AgroWeb.org ju sjell kombinimi më fantastik të verës për t’i përfituar të gjitha vlerat në një pjatë të vetme.

Përbërësit

Gjysmë lakre të bardhë

3-4 speca të kuq

Kripë

Vaj ulliri

Lëngu i gjysmës së një limoni

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju sugjeron që të ndizni furrën që të ngrohet me 180 gradë.

Në një tavë shtroni një letër pjekjeje dhe vendosni aty specat e kuq pasi t’i keni larë me ujë të bollshëm.

Sigurohuni që t’i keni fshirë mirë me një pecetë kuzhine.

Futini pë t’i pjekur, dhe pas 10-15 minutash kthejini nga ana tjetër.

Kur specat të jenë pjekur hiqini nga furra dhe vendosini në një pjatë dhe mbulojeni me një kapak.

Ndërkohë që specat ftohen pak, AgroWeb.org ju këshillon që të filloni me përgatitjen e lakrës.

Ka dy mënyra si ta përgatisni lakrën e bardhë, njëra kërkon pak ujë të nxehtë ndërsa tjetra pak kripë.

Mjafton që të keni grirë imët lakrën dhe ta vendosni në një tas, aty shtoni ujin e nxehtë dhe lëreni për 3-4 minuta më pas kullojeni.

Ndërsa metoda tjetër është që pasi ta keni grirë ta shtypni me duar duke përdorur kripë.

Të dyja metodat janë të shëndetshme, ju zgjidhni atë që preferoni pasi rezultati do të jetë i njëjtë.

Pasi ta keni përgatitur lakrën, është koha që të qëroni specat.

Sigurohuni që të hiqni lëkurën dhe farat e më pas t’i grini në shirita e t’i shtoni tek tasi me lakrën.

Më pas shtoni lëngun e limonit, vajin e ullirit dhe kripën, përzjejini mirë që sallata të jetë e marinuar dhe futeni në frigorifer për 5 minuta.

Kështu shija e saj do të jetë akoma dhe më e fortë dhe gjithashtu ju do të t’i jepni freski tryezës suaj./AgroWeb.org