Deti është shtëpia e thesareve më të çmuara. Një prej këtyre thesareve janë sardelet. Sardelet konsiderohen një mik i mirë i shëndetit të njeriut.

Këta peshq janë të mbushur me vlera ushqimore dhe shëndetësore të jashtëzakonshme, që i zgjasin jetën njeriut.

AgroWeb sjell më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së sardeleve në furrë e sugjeruar nga amvisa Ervina Saliu tek Kuzhinaime.

Ndiqni shkurt hapat e thjeshtë

PËRBËRËSIT 

Sardele

Vaj

Domate

Limon

Kripë

PËRGATITJA

Pastrojmë dhe lajmë sardelet, i lemë të kullojnë, më pas i shtrojmë në tepsi që e kemi lyer me vaj nga lart, i hedhim kripën, domate me feta, lëng limoni dhe vaj. I pjekim në 200 gradë rreth 20 minuta. Ju bëftë mirë

Vlerat shëndetësore të sardeles

Mbron zemrën

Sardelet janë të pasura me vlera të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të zemrës. Ato janë një burim i pasur me vitaminë B12. Ato kanë kalcium, hekur dhe potasium.

Mbron kockat

Sardelet janë një burim i pasur me vitaminën D që njihet si një element i rëndësishëm për shëndetin e kockave, duke qenë se ndihmon në përthithjen e kalciumit.

Sardelet janë gjithashtu të pasura me fosfor, një mineral i rëndësishëm në fuqizimin e strukturës kockore dhe në luftimin e sëmundjes së osteoporozës, duke i bërë kockat më të shëndetshme.

Sardelet janë të pasura me proteina

Sardelet janë të pasura me proteina të cilat na japin amino acidet për të cilat kemi nevojë. Trupi ynë i përdor amino acidet për të krijuar proteina të reja, që shërbejnë si bazë e rëndësishme për qelizat e trupit.

Proteinat formojnë edhe bazën e muskujve dhe indet lidhorë, antitrupa që mbajnë sistemin imunitar të fortë, dhe protein transportuese që shpërndajnë oksigjenin dhe elementë ushqyes në gjithë trupin. /AgroWeb.org