Gjithnjë kam menduar që një erëz në formën e bukur të yllit që mban emrin Anason, ishte përbërësi kryesor i Uzos Greke ose Absinthit Francez. Në të gjitha gjuhët që njoh, kjo erëz mban emrin e Anisës, ose ndryshe në Shqipëri e njohin Anason. Së fundmi zbulova që në fakt janë dy bimë të ndryshme.

Një prej tyre ka formën e një ylli me tetë cepa me fara të qelibartë dhe quhet Anason. Në të vërtetë bëhet fjalë për një frut që vjen nga Kina e Jugut ose Vietnami. E dyta është Glikanxoja, një bimë që rritet në zonat mesdhetare dhe ato të Lindjes së Mesme, që i përket të njëjtës familje botanike si kopra.

Përpos emrit, të dy këto bimë ndajnë shumë cilësi të ngjashme. Shija e tyre ka nuancën e mentes dhe jamballit, ndonëse Anasoni është më pak i ëmbël dhe pikant në krahasim me Glikanxonë. Si Anasoni ashtu edhe Glikanxoja përdoren për tu dhënë aromën karakteristike shumë likerëve.

Anasoni përdoret në përgatitjen e disa ëmbëlsirave, çamçakëzit dhe çajrave. Shpesh përdoret edhe për marinim, supa dhe disa gatime me peshk sipas recetave Aziatike. Anasoni është pjesë e recetës së 5 erëzave që vjen nga Kina (1 lugë me kanellë, 1 lugë çaji me karafil, 1 lugë çaji me kopër të shtypur, 1 lugë çaji piper kokërr dhe 1 lugë çaji me Anason pluhur ) të cilën mund ta përgatisni edhe vetë. 

Glikanxoja në anën tjetër përdoret për t’i dhënë shije Sambukës (në Itali), Uzos në Greqi, Anisetës në Francë, Aguardientes në Kolumbi, Absinthit në Francë dhe shumë pijeve tradicionale në vende të ndryshme të botës. Glikanxoja përdoret edhe në gatimin e kekut, bukës, biskotave, bonboneve, çajrave, dhe gatimeve të ndryshme siç është çomleku.

10 vlerat kryesore

Të dyja këto erëza ndajnë praktikisht të njëjtat vlera shëndetësore

1. Vaji i farave të këtyre erëzave është përdorur në mjekësinë popullore të shumë qytetërimeve sepse ndihmon stomakun, ka efekt qetësues, përmirëson tretjen, lufton spazmat, ka efekt stimulues dhe nxit djersitjen.

2. Farat janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të vitaminës B, sidomos B6 e cila rrit nivelet neurokimike në tru. Këto erëza përmbajnë gjithashtu sasi të konsiderueshme antioksidantësh dhe vitaminës C dhe A.

3. Sipas studimeve të kohëve të fundit, Anasoni ndihmon në parandalimin e trombozës për shkak të vajit esencial të anetholit.

4. Farat pikante janë burim i rëndësishëm i mineraleve si kalciumi, hekuri, bakri, kaliumi, manganic, zinku dhe magnezi. Kaliumi është një përbërës i rëndësishëm i qelizave dhe lëngjeve trupore që mban nën kontroll rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut.

Farat e Glikanxos. Foto: WebLibrary

5. Çaji i përgatitur nga secila prej farave duhet të konsumohet pas çdo vakti për të ndihmuar me simptomat e tretjes problematike siç janë fryrjet, dhimbjet abdominale, konstipacioni etj. Këto çajra aktivizojnë enzimat e metabolizmit. Ato munden të përdoren edhe nga fëmijët për t’i qetësuar nga dhimbjet e barkut.

6. Pankreasi është një organ i rëndësishëm për të mbajtur nën kontroll insulinën dhe disa hormone të caktuara. Anasoni e ndihmon anasonin të kryejë detyrën e vet.

7. Vaji esencial i anasonit në veçanti lufton infeksionet dhe mykun dhe disa probleme të zakonta me lëkurën siç janë infeksionet mykotike të shkaktuara nga Candida albicans. Ky infeksion zakonisht prek pjesët sipërfaqësore të lëkurës, gojës, fytit apo edhe organet gjenitale.

8. Anasoni përmban një acid të veçantë që ka vlera të forta kundër virozave, sidomos kur bie në kontakt me një tjetër antioksidant të njohur si quercetina. Kombinimi i të dy këtyre substancave ndihmon në parandalimin e gripit.

9. Anasoni ka efekt qetësues dhe ndihmon njerëzit që vuajnë nga çrregullimet e gjumit.

10. Anasoni është përdorur prej shekujsh nga nënat lehonë për të stimuluar ardhjen e qumështit.

Unë ju rekomandoj të përdorni recetën time të preferuar dimërore: merrni disa gjethe menteje, shtoni një shkop kanelle, një anason, një copë limoni, shtoni ujë të nxehtë dhe një lugë mjaltë. Kjo pije do t’ju ngrohë por do ndihmojë me tretjen dhe do t’ju ofrojë qetësim nga simptomat e të ftohtit dhe gripit./AgroWeb.org

 

*AgroWeb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.