Sheqeri shkakton një kaos të vërtetë në organizëm.

Efektet e sheqerit në trup shkojnë përtej aspektit fizik dhe rrezikojnë edhe shëndetin mendor.

Sheqeri Shkakton Luhatje Humori

Njerëzit përballen me stresin në mënyra të ndryshme e disa e kanë të nevojshme të gëlltisin eksperiencën e keqe duke ngrënë diçka të ëmbël.

Por konsumi i lartë i sheqerit nxit ndjesinë e ankthit, acarimit dhe trishtimit.

Kjo është një barrë e frikshme për dikë që vuan nga depresioni apo ankthi.

Ajo që ndodh është se pas konsumit të sheqerit, trupi çliron insulinë për të përthithur sasitë e tepërta të glukozës në gjak.

Kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e mirë.

Sheqeri krijon varësi, të ngre humorin e më pas të acaron.

Kjo luhatje e çorodit organizmin dhe e detyron të punojë përtej kapacitetit.

Për pasojë, njeriu do të jetë nervoz, pa energji, i plogësht.

Njerëzit që vuajnë nga ankthi dhe depresioni duhet t’i qëndrojnë larg sheqerit sepse ai do të përkeqësojë simptomat e tyre.

Sheqeri Përkeqëson Ankthin

Njerëzit që vuajnë nga ankthi duhet të tregojnë kujdes me sheqerin, sepse ai mund të përkeqësojë simptomat.

Për më tepër, sheqeri dobëson aftësinë e trupit për të reaguar ndaj stresit, gjë që i çel rrugën shfaqjes së ankthit.

Rrit Rrezikun e Depresionit

Njerëzit që vuajnë nga depresioni, shpesh i shohin të ëmblat si një formë terapie.

Por sheqeri është tinëzar.

Ai mpin emocionet dhe nxit mërzinë, plogështinë dhe i bën njerëzit të mendojnë se janë të pashpresë.

Konsumi i tepërt i sheqerit shkakton prishje të ekuilibrave mes disa substancave të trurit.

Kjo prishje ekuilibrash të çon në depresion dhe mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve mendore tek njerëzit.

Studimet thonë se burrat që konsumojnë mbi 67 gramë sheqer çdo ditë, janë 23 përqind më të rrezikuar nga depresioni klinik brenda 5 viteve.

Heqja Dorë Nga Sheqeri Shkakton Atak Paniku

Njerëzit që vuajnë nga paniku duhet të tregojnë kujdes kur të heqin dorë nga sheqeri.

Simptomat e lënies së sheqerit janë shumë të ngjashme me simptomat e lënies së substancave narkotike.

Prandaj rekomandohet që njeriu të kufizojë sheqerin e më pas të heqë dorë prej tij në mënyrë graduale.

Sheqeri Nënshtron Trurin

Sheqeri i tepërt në trup pengon aftësitë ditore të të nxënit dhe kujtesën.

Kjo substancë e ëmbël ka aftësinë të nënshtrojë trurin e madje të shkaktojë sëmundje si Alzheimeri, diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

Si Të Kufizoni Sasinë Ditore Të Sheqerit

Ekspertët thonë se kufizimi i sheqerit nuk është një mision i pamundur, nëse njeriu tregohet i kujdesshëm dhe i vëmendshëm.

Për shembull, drithërat ose tërshëra e mëngjesit nuk kanë nevojë të ëmbëlsohen me sheqer.

Në vend të tij mund të zgjidhni fruta.

Të gjitha pijet industriale që mbushen dyqanet në vend përmbajnë sheqer.

Në vend të tyre mund të përpiqeni të zgjidhni alternativa më të shëndetshme pa sheqer shtesë, ose më mirë akoma të pini ujë me fruta ose me limon.

Në vend të ëmbëlsirave apo biskotave mund të zgjidhni sërish fruta.

Nëse gatuani ëmbëlsira në shtëpi, atëherë mund të përgjysmoni sasinë e sheqerit të përdorur ose të zgjidhni ëmbëlsues natyralë më pak të dëmshëm.

Kini parasysh që salcat e ndryshme industriale si ajo e domates apo të sallatave përmbajnë shumë sheqer.

Kur të blini produkte të tilla, lexoni etiketat përkatëse dhe zgjidhni alternativën me më pak sheqer.

AgroWeb.org ju këshillon se mjaftojnë disa hapa të thjeshtë për të bërë një ndryshim madhor në ushqyerjen tuaj për të mirën e shëndetit./AgroWeb.org