Shije Shqipërie në Tregun Evropian – Biznesi i Agropërpunimit të Fruta-Perimeve Një Sukses

256 0

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi vizitoi një nga bizneset e fruta-perimeve në Lushnjë.

Shalsi thotë se “ky është një investim serioz përpunimi fruta-perimesh në Lushnjë.

Në një ortakëri të gjatë për më shumë se 20 vite, jo shumë të zakontë, 4 vëllezër, Arbeni, Ylli, Kastrioti dhe Faiku, duke kombinuar aftësitë e veçanta dhe harmonizuar përgjegjësitë e tyre, kanë arritur gradualisht të ngrenë këtë sipërmarrje të suksesshme.

Me ndihmën dhe mbështetjen e AZHBR-së nëpërmjet programit IPARD, vëllezërit Zdravo së shpejti do të vënë në funksionim linjën e re të përpunimit, një investim në makineri moderne, që do të bëjë të mundur rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe njëkohësisht uljen e kostove”.

“Duke pasur rreth 40 artikuj, ata krenohen për shijen dhe cilësinë e produkteve tipike shqiptare si: reçeli, turshitë dhe salca e domateve.

Këto produkte tanimë, gjenden edhe në tregun europian si në: Ukrainë, Suedi, Gjermani po ashtu edhe në SHBA , duke i sjellë “pak shije Shqipërie”  dhe shqiptarëve tanë të diasporës dhe jo vetëm. I njoha gjatë problematikave që hasën në periudhën e “lockdown-it”.

Pavarësisht vështirësive vijuan të punonin dhe vlen të theksohet se kanë angazhuar edhe shumë fermerë të zonës në kultivimin e rreth 50 hektarëve tokë”, informoi ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. /Burimi: Atsh