Shqipëria Përshpejton Konsumin e Burimeve Natyrore

451 0

Në vitin 2018 përdorimi i brendshëm i burimeve natyrore arriti vlerën e rreth 22,9 milionë ton, 5,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2017.

Sipas matjeve të INSTAT, përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore në raport me popullsinë në vitin 2018 ishte rreth 8 ton, duke treguar një rritje me afërsisht 5,7 %, krahasuar me vitin 2017, e cila kishte një vlerë rreth 7,6 tonë.

Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore mat sasinë totale vjetore të lëndëve të para që nxirren nga mjedisi, duke marrë në konsiderate dhe bilancin fizik tregtar.

Sipas strukturës së tij shohim që pjesën më të madhe të përdorimit të brendshëm të materialeve mjedisore e zënë “mineralet jo metalike” me 45,8 %, më pas vijnë produktet e “biomasës” me 39,5 %, “materialet fosile të energjisë” me 7,6 %, “mineralet dhe koncentratet metalike” me 6,6 % dhe “produkte të tjera” me 0,5 %.

Burimet Natyrore 

Në vitin 2018, lënda e parë e nxjerrë nga burimet e brendshme natyrore, e cila përfaqëson sasinë totale të materialeve që përdoren direkt në ekonomi, është rreth 22,4 milionë ton, duke shënuar një rritje me 4,6 %, krahasuar me vitin 2017.

Struktura e burimeve të brendshme natyrore, tregon që produktet “minerale jo metalike” zënë rreth 49,5 %, “biomasa” 35,6 %, “mineralet metalike” 7,9 % dhe “materialet e energjisë fosile” 7,1 %.

Shuma totale e importit të materialeve mjedisore në vitin 2018 ishte rreth 4,4 milionë ton, e cila krahasuar me vitin 2017 është 4,9 % më e lartë. Pjesën më të madhe e zëne produktet e “biomasës” me 1.465 mijë ton të shoqëruar nga “materialet fosile të energjisë” me 912,6 mijë ton.

Eksportet

Më pas kemi produktet minerale jo metalike” me 905,9 mijë ton, “mineralet dhe koncentratet metalike” me 883,6 mijë ton dhe “produkte të tjera” ku përfshihen mbetjet e importuara me 319,1 mijë ton.

Eksportet në vitin 2018 arritën një vlerë prej rreth 3.9 milionë ton, duke pësuar një rënie të lehtë prej 0,1 % krahasuar me vitin 2017.

Ndikim më të madh në rënien e eksporteve të materialeve mjedisore e kanë dhëne “mineralet dhe koncentratet metalike”, eksportet e të cilave shënuan një rënie prej 9,7 %. Gjatë vitit 2018 ka patur rritje të eksporteve për të gjitha kategoritë e tjera të materialeve mjedisore, përkatësisht materialet fosile të energjisë me 6,4 %, “biomasa” me rreth 1,2 % dhe “mineralet jo metalike” me 1,1 %.

Bilanci fizik tregtar i cili tregon diferencën midis importeve dhe eksporteve për të gjithë kategoritë e materialeve mjedisore arriti vlerën e rreth 543 mijë ton për vitin 2018, duke pësuar rritje me rreth 212,5 mijë ton, krahasuar me vitin 2017.

Produktet e “biomasës”, “materialeve fosile te energjisë” dhe “produktet e tjera dhe mbetjet” kanë bilanc tregtar pozitiv ndërsa produktet “mineralet jo metalike” dhe “mineralet dhe koncentratet metalike” kanë bilanc tregtar negativ, për vitin 2018.