Një studim, më i madh në llojin e vet ka zbuluar ngjashmëritë në trurin e personave që vuajnë nga depresioni, stresi pas një traume, çrregullimi bipolar dhe ankthi.

Këto probleme kanë një prevalencë të lartë në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë.

Pavarësisht kësaj, këto sëmundje shoqërohen shumë nga stigma dhe njerëzit kanë tendencën të krijojnë ide të gabuara për to.

Këto çrregullime trajtohen me medikamente dhe terapi të ndryshme, por puna e parë që duhet bërë sipas shkencëtarëve, është kuptimi dhe zbulimi i pikënisjes së tyre.

Cila Është Lidhja Mes Depresionit, Ankthit dhe Stresit Pas Një Traume

Së pari duhet të dini se stresi post-traumatik, ankthi, luhatjet e humorit, çrregullimi bipolar dhe depresioni kanë simptoma shumë të qarta që shpesh ndërlidhen me njëra tjetrën.

Për shembull, një person që vuan nga ankthi mund të përjetojë simptoma depresive dhe anasjelltas.

Studimi në fjalë përmblodhi analizat neurologjike të 9000 personave.

Pas analizimit të të dhënave, studiuesit zbuluan se njerëzit që vuajnë nga çrregullimet e humorit, stresi post-traumatik dhe ankthi kanë karakterisitika të ngjashme në aktivitetin e trurit të tyre.

Është e trishtë të mësohet se njerëzit që kanë probleme me humorin dhe ankthin janë, sipas ekspertëve, peng i një gjendje negative emocionale.

Njerëzit që vuajnë këto probleme e kanë të pamundur të dalin nga kjo gjendje, pavarësisht sa përpiqen.

Çfarë Duhet Të Hamë Për Një Mendje Të Shëndoshë

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, një ushqyerje e keqe e përkeqëson depresionin, sepse nuk mundëson ushqyesit e duhur për trurin.

Ushqimet e skuqura dhe të përpunuara nxisin inflamacionin, një nga shkaqet e depresionit.

Ushqyerja e keqe ka ndikim negativ edhe tek miliarda mikro-organizma që jetojnë në stomak.

Këto mikro-organizma tjetërsojnë prodhimin e serotoninës, një transmetues nervor që gjendet në tru.

Komunikimi mes stomakut dhe trurit është shumë kompleks dhe ndikimi në humorin tonë është i fortë.

Nëpërmjet ushqimit, njeriu mund të përmirësojë nivelin e baktereve të mira në stomak dhe rrjedhimisht ta mbajë trurin të lumtur.

Studimet shkencore, sipas të dhënave të AgroWeb.org, mbështesin ushqyerjen përmes frutave, perimeve, vajit të ullirit ekstra të virgjër, kosit, djathit, bishtajoreve, arrorëve, ushqimeve të detit.

Ekspertët rekomandojnë racione të vogla të mishit të kuq.

Kjo ushqyerje do t’i japë trurit atë që ka nevojë, do të luftojë inflamacionin dhe do të lulëzojë bakteret e mira në stomak./AgroWeb.org