Si Ndikoi Karantina Në Shëndetin Mendor Të Studentëve Shqiptarë

361 0

Karantina si pasojë e koronavirusit ka pasur një ndikim domethënës dhe të rëndë në shëndetin mendor të studentëve shqiptarë.

Një anketë i kryer në Fakultetin e Shëndetit Publik në Universitetin e Vlorës zbuloi se 25 .2 përqind e studentëve raportuan rritje të nivelit të depresionit  duke e kategorizuar si i moderuar deri në të rëndë.

Sipas të njëjtës anketë, 25.6 përqind e familjarëve të studentëve raportuan një përkeqësim të ngjashëm prej pandemisë.

Sipas autorëve këto nivele janë mjaft të larta  në krahasim me normat ekzistuese siç është parë në studime të tjera brenda dhe jashtë vendit.

Anketa është kryer nga data 30 mars deri më 9 prill dhe është publikuar me 13 korrik.

Qëllimi i saj ishte analizimi dhe vlerësimi i nivelit të depresionit tek studentët Bachelor dhe ato të Masterit por edhe të familjarëve gjatë periudhës së karantinës.

Autorët e anketës janë: Enkeleint A Mechili  Aurela Saliaj , Fatjona Kamberi Charis Girvalaki Ela Peto , Athina E Patelarou,  Jorgjia Bucaj dhe Evridiki Patelarou

Në këtë anketë morrën pjesë 863 studentë dhe 249 anëtarë të familjeve të tyre.

Nga analiza statistikore u kuptua se 90.3 përqind e studentëve dhe prindërve të pyetur ishin asokohe të kënaqur nga masat parandaluese të ndërmarra kundër COVID-19

Ama nga ana tjetër, njerëzit që nuk ishin të kënaqur me këto masa ishin më të predispozuar të kishin depresion të lartë.

Sa i përket ndikimit në shëndetin fizik, 67.4% e studentëve dhe 75.2% e familjarëve besonin se COVID-19  mund të shkaktojë probleme serioze në shëndetin e tyre.

Nevoja Për Një Strategji Shërbimesh Komunitare Kundër Depresionit Dhe Pasojave të Tij

Një prej bashkëautorëve të studimit, Enkeleint A Mechili tha për AgroWeb.org se ndikimi i pandemisë në shëndetin mendor është shqetësues por ai duhet parë dhe verifikuar edhe në një panoramë më të gjerë përtej pandemisë.
“Nivele të larta të depresionit nxisin kërkesë më të madhe për shërbime shëndetsore dhe kanë edhe pasoja ekonomike. Në mendimin tim, ndikimi psikologjik i pandemisë do të jetë afatgjatë, sidomos tek grupet më të brishta të popullësisë” tha ai.
Sipas tij, hartimi i një strategjie specifike për ofrimin e shërbimeve në shënjestrimin e këtij problemi në komunitete është i nevojshëm për të përballuar problemet e mëvonshme psikologjike si pasojë e COVID-19.

Nivelet e Depresionit Para Pandemisë Ishin Tashmë Shqetësuese

Një anketë e kryer në bashkëpunim mes INSTAT dhe ISHP-së në vitin 2018 dhe publikuar në 2019-ën zbuloi se  60-70% e grave të anketuara dhe 57% e burrave kishin kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit.

Në anketën e INSTAT dhe ISHP evidentohet se grupmosha më e prekur nga depresioni janë nga 15-59 vjeç që është edhe më e prekura nga pasiguria financiare e shkaktuar prej pandemisë.

Ndërkaq, sipas psikiatres Ariana Rreli, në fillim të janarit 2019, numri i personave që merrnin shërbime kundër këtyre problemeve ishte  9000-10.000 persona.

Sa i përket shërbimeve të ofruara gjatë pandemisë dhe nevojës së popullatës për to, nuk ka ende asnjë studim apo të dhënë zyrtare .

Në vendin tonë depresioni është sëmundje e nëndiagnostikuar prej stigmës, por mjafton t’i hedhim një sy shembujve të shkuar të ndikimit të faktorit ekonomik në shëndetin mendor të shqiptarëve, për të krijuar një ide sa i fortë mund të jetë ndikimi i pandemisë.

Për shembull, në vitet 2015-2016 kur qeveria ndërmorri një aksion masiv kundër informalitetit, shumë biznesmenë ranë në depresion. aq sa zunë edhe dyert e spitaleve dhe klinikave të specializuara.

Rreli tha në një intervistë për revistën Monitor se situata e stresit dhe ankthit u përhap jo vetëm në mesin e bizneseve të prekura nga ky aksion por edhe në popullatën e gjerë.

Në artikullin e saj, revista Monitor raportonte për rradhë të gjata në Qendrën e Shëndetit Mendor në Tiranë por edhe për rritje të ndjeshme të importeve të barnave si Loram, Xanax dhe Citolex.

Nëse ndieni shenja ankthi, stresi, frike pasigurie shkaktuar nga pandemia dhe pasojat e saj dhe keni nevojë për ndihmë psikologjike, AgroWeb.org ju këshillon të kontaktoni:

Në Shqipëri linjën e gjelbër 0800 40 40;

Në Kosovë linjën falas 038 200 80 890/ AgroWeb.org