Gurët në veshka prekin rreth 10% të popullsisë në botë.

Në Shqipëri shifrat janë edhe më të larta dhe problemi është më i përhapur pasi rastet janë duke u shtuar. Shfaqja e gurëve është më e zakonshme tek meshkujt midis moshës 30 dhe 40 vjeç.

Shqetësimi që sjellin gurët në veshka është një situatë e dhimbshme që mund të zgjasë me javë të tëra.

Gurët formohen kur nivelet e larta të kalciumit, natriumit, acidit urik, ose substanca të tjera që formojnë kristale, krijohen deri në nivele që trupi nuk mund t’i eliminojë siç duhet.

Këto substanca mblidhen dhe lidhen kimikisht me njëri-tjetrin duke formuar një gur brenda organit.

Ajo që duhet të dini është që prirja e organizmit për të formuar gurë në veshka është e trashëguar.

Në AgroWeb.org do të mësoni për shenjat paralajmëruese që lëshon trupi kur vërehet prania e gurëve në veshka.

Dhimbjet

Disa njerëz i kanë krahasuar dhimbjet që shkaktojnë gurët në veshka me ato të lindjes.

Në fillime, dhimbja vërehet e lehtë në pjesën e pasme dhe anësore ose edhe poshtë brinjëve. Më pas dhimbja shpërndahet në pjesën e poshtë abdominale.

Dhimbja mund të jetë shumë e fortë në një minutë dhe më pas të shuhet krejtësisht.

Parehatia

Lëvizja e gurëve në veshka shkakton një parehati të madhe dhe njeriu nuk gjen rehat në asnjë pozicion.

Dhimbjet më të forta mund të zgjasin nga 20 deri në 60 minuta.

Të Përzierat

Kur guri bllokon urinimin mund të shkaktojë ënjtje dhe shtendosje të veshkave.

Një gjë e tillë shkakton trazira në të gjithë sistemin tretës dhe njeriu përjeton të përziera dhe të vjella.

Urinimi i Tepërt

Njerëzit që vuajnë nga gurët në veshka kanë nevojën për një urinim të shpeshtë.

Gurët irritojnë fshikëzën e urinës dhe shkaktojnë kontraktim të shpeshtë të saj.

Për më tepër, urinimi është i dhimbshëm si pasojë e gurëve.

Ethet

Ethet dhe temperature tregojnë praninë e gurëve në veshka dhe bllokimin e urinimit.

Nëse keni ethe dhe simptomat e lartpërmendura atëherë duhet të bëni një vizitë tek mjeku.

Në shumë raste, trupi i nxjerr vetë gurët kur ato janë të vegjël. Por kur gurët zmadhohen, atëherë duhet t’i hiqni ato nëpërmjet procedurave të rekomanduara nga mjeku./AgroWeb.org