Si Të Luftoni Plogështinë e Karantinës – Kujdesi Që Ju Duhet

303 0

Ekspertët parashikojnë se mund të duhet plot një vit që jeta jonë t’i rikthehet normalitetit, cilido qoftë ai.

Për pasojë, njerëzit kanë barrën e rëndë të gjetjes së mënyrave të reja për tu përshtatur me këtë realitet.

Pasja e një rutine dhe rregulli gjatë ditës,por edhe gjetja e kohës për veten, është një mënyrë shumë e mirë për tu përballur me këtë situatë

Kjo është shumë e rëndësishme sepse pavarësisht se mund të ngjajë sikur kemi kohë për të bërë gjithçka, në të vërtetë mund të ndihemi si në burg.

Ndjesi të tilla formojnë atë që ekspertët e quajnë si plogështia e karantinës, e cila ka zënë rrënjë këto dy muaj.

Përse Ndihemi Të Plogësht Në Fund Të Ditës?

Psikologë të ndryshëm thonë se njerëzit po ndihen gjithnjë e më të lodhur në fundin e çdo dite.

Kjo ndodh për shumë arsye.

E para për nga rëndësia është fakti se po përjetojmë shumë ndryshime dhe pasiguri në jetë.

Kjo pasiguri për të ardhmen shërben si benzinë për zjarrin e ankthit, veçanërisht tek njerëzit që përballen me pamundësi financiare.

Për prindërit, plogështia është shumë më e madhe.

Ata duhet të kryejnë më shumë punë në shtëpi por edhe të angazhohen në edukimin e fëmijëve dhe me organizimin e ditës për të gjithë anëtarët e familjes.

Njerëz të tjerë që punojnë nga shtëpia ndihen të lodhur dhe kanë probleme me shikimin.

Në lidhje me ndërveprimin me njerëzit në distancë, teknologjia na ndihmon shumë.

Ama, ajo nuk e mbush dot boshllëkun që shkakton distancimi dhe pamundësia e kontaktit fizik.

Njerzve u mungon ndërveprimi ballë për ballë, prania fizike, prekja, përqafimi dhe puthjet.

Sado puthje të dërgojmë online, asnjëra prej tyre nuk zëvendëson atë të vërtetën.

Sipas psikologëve, plogështia fizike dhe emocionale e karantinës nxitet edhe nga mungesa e stimulit dhe motivimit.

I vetmi stimulim që kemi këto kohë është negativ dhe lodhës sepse gjithçka sillet rreth koronavirusit dhe kjo gjë vazhdon çdo ditë, e duket sikur s’ka fund.

Mungesa e ndryshimit të ambientit shkakton gjithashtu vështirësi dhe drobitje.

Si Ta Ndihmoni Veten Në Këto Kohë Të Vështira.

Ekspertët thonë njëzëri: rutina është e rëndësishme për të mos e lënë mendjen të ikë.

Vendosni një rutinë, me orare dhe angazhime të përcaktuara qartë.

Kjo rutinë duhet të përfshijë gjumin, aktivitetin fizik, ushqyerjen e shëndetshme, kryerjen e punës, përkujdesin për anëtarët e familjes dhe kohë për veten.

Koha për veten është e një rëndësie jetësore. Njerëzit janë krijesa sociale ama në rast pandemie, qëndrimi i të gjithë anëtarëve të familjes brenda katër mureve mund të jetë drobitës.

Ndaj është shumë e rëndësishme që në një orë të caktuar të ditës, secili prej nesh t’i përkushtohet vetes dhe të bëjë diçka që i pëlqen dhe heq mendjen nga stresi i ditës.

Në aspektin social, psikologët thonë se është e rëndësishme që gjatë ditës të flisni me të paktën pesë persona jashtë familjes.

Komunikimi me ta është i domosdoshëm për ju por edhe për ata./AgroWeb.org