Aktiviteti kryesor i qindra familjeve shqiptare është mbledhja e trëndafilit të egër, ndër kokrrat më mirëbërëse për shëndetin e njeriut.

Trëndafili i Egër ose Rosa Canina ka vendlindjen në Evropë dhe Shqipëria është një nga vendet e bekuara me këtë super bimë.

Kjo shkurre e egër është me degë gjëmbore.

Ajo arrin nga 2 në 4 metra lartësi. Rrënjët e saj janë të gjata dhe fibroze.

Bima çel lule të bardha ose ngjyrë rozë me nga pesë deri në shtatë petale nga fillimi i pranverës deri në mes të verës.

Kokrrat e trëndafilit të egër kanë një përdorim të gjërë mjekësor.

Ato janë të pasura me vitaminat C, D dhe E, acide yndyrore dhe antioksidantë.

Kokrrat e trëndafilit të egër mund të përdoren për çaj, mund të bëhen reçel ose marmaladë dhe mund të përfshihen në shumë ushqime të tjera.

Ato luftojnë inflamacionin, osteoartritin dhe parandalojnë kancerin dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Varianti i tyre i thatë që përdoret në çaj është kryesisht më popullori.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të rrisni bimën e trëndafilit të egër në kushtet e shtëpisë.

Si Të Mbillni Bimën e Trëndafilit të Egër në Shtëpi

Këtë bimë mund ta mbillni e ta rrisni në saksi ose në kopështin e shtëpisë.

Farat mund t’i merrni në brendësi të një kokrre të trëndafilit të egër.

Në fazën përgatitore të mbjelles së bimës duhet të tregoni kujdes sepse farat e trëndafilit të egër konsiderohen si ‘kokëforta.’

Lëshimi i rrënjëve dhe çelja e filizave janë në varësi të temperaturës së ambientit.

AgroWeb.org ju këshillon që përpara se t’i mbillni farat, t’i  mbani ato në ujë të ngrohtë për 24 orë.

Më pas duhet t’i mbani në një pjatë ku keni vendosur pambuk të lagësht.

Ato duhet të qëndrojnë ngrohtë për një periudhë dy mujore.

Pas kësaj kohe, farat duhen mbajtur në frigorifer për 2-3 muaj, një stimulim i nevojshëm i dimrit për rritjen më të mirë të bimës.

Më pas farat mund t’i fusni në një saksi në një thellësi prej 3 centimetrash dhe të mbahen në ambient të ngrohtë.

Bima do të nisë të rritet pritet pas të paktën 6 muajsh.

Bima e trëndafilit të egër kërkon një sistem të mirë kullimi dhe lagështi të mjaftueshme.

Ajo ka nevojë për ndriçim të pjesshëm dhe ujitje të rregullt.

Bima e trëndafilit të egër konsiderohet e fortë dhe e aftë t’i rezistojë edhe ngricës./AgroWeb.org