Si Të Mbroheni Nga Dielli Gjatë Pandemisë

299 0

Shqiptarët po i gëzohen motit të ngrohtë dhe lehtësimit të masave shtrënguese kundër COVID-19 dhe dukshëm po kalojnë më shumë kohë jashtë shtëpisë, qoftë për të marrë më shumë ajër apo edhe vitaminë D.

Por sot më shumë se kurrë, sipas dermatologëve, kujdesi për lëkurën dhe mbrojtjen e saj nga dielli është tepër i domosdoshëm.

Mbrojtja kundër diellit pikë së pari është hapi i duhur për të parandaluar kancerin e lëkurës.

Vitamina D dhe Ekspozimi Ndaj Diellit

Dermatologët këshillojnë aplikimin e kremit kundër diellit gjatë çdo dite, pavarësisht se një krem i tillë pengon sintetizimin e vitaminës D nga lëkura.

Lëkura pa krem dielli mundet ta sintetizojë vitaminën D nëse ekspozohet edhe vetëm ndaj rrezeve ultravjollcë B të diellit.

Por këto rreze janë kancerogjene ndaj nuk ka arsye përse njeriu të mos vendosë krem kundër diellit me argumentin se i duhet më shumë vitaminë D.

Fakt është që këtë vitaminë kaq të nevojshme për të gjithë organizmin, mund ta marrim edhe nëpërmjet ushqimeve dhe suplementëve.

Burimet më të pasura të vitaminës D përfshijnë peshkun, vezët, kërpudhat, djathin dhe qumështin e pasuruar.

Nga ana tjetër, ekspozimi i tepruar ndaj diellit, edhe nëse keni vënë krem kundër diellit, ka një ndikim të fortë në sistemin imunitar duke e bërë atë më të brishtë ndaj infeksioneve.

Dermatologët thonë se mjaftojnë 3 minuta ekspozim në diell për të marrë vitaminë D në mënyrë të sigurtë.

Por nga ana tjetër, mjaftojnë 10 minuta ekspozim në diell të fortë nga ora 10 e paradites deri në orën 14:00 për të marrë mjaftueshëm rrezatim të dëmshëm për ADN-në tonë, që eventualisht nxit shfaqjen e kancerit të lëkurës.

Si Të Mbroheni Nga Dielli Në Mënyrë Të Sigurtë Dhe Të Shëndetshme

Dielli është burimi i rrezeve UVA dhe UVB. Këto të fundit janë ndjeshëm më shumë përgjegjëse për djegien që pësojmë në lëkurë nëse rrimë gjatë në diell, por edhe për shfaqjen e rrudhave dhe njollave.

Sidoqoftë, të dyja rrezet mund të shkaktojnë kancer në lëkurë, dhe për këtë arsye, kremi kundër diellit nuk duhet të mungojë në rutinën tuaj.

Ai duhet të jetë rezistent ndaj ujit dhe të ketë një faktor mbrojtës mbi 30.

Kremi duhet aplikuar në lëkurë me bujari çdo dy orë ose pas çdo kredhje në det apo aktiviteti tjetër.

Nëse përdorni krem spërkatës, mos harroni ta hidhni atë në duar e më pas në lëkurë.

Si Të Kontrolloni Njollat Dhe Nishanet

Njeriu mund të bëjë një kontroll parësor të lëkurës vetë përpara se të shkojë tek dermatologu.

Nëse vëreni një njollë apo nishan të ri dhe jeni  të shqetësuar se mos bëhet fjalë për kancerin e lëkurës ekzaminojeni atë me hollësi.

Zakonisht njollat dhe nishanet kancerogjene janë asimetrikë, jo të përkufizuar mirë, ka ngjyra dhe hijëzime të nuancave nga kafja, e zeza, e kuqja dhe bluja, kanë një diametër më të madh se 6 milimetra dhe ndryshon vazhdimisht në përmasë, formë ose ngjyrë./AgroWeb.org