Biskotat janë ndër ëmbëlsirat më të lehta në shije dhe përgatitje.

I gjeni kudo, në çdo libër recetash me kombinime nga më të ndryshmet për të kënaqur secilin.

Mund t’i konsumoni në çdo vakt nga mëngjesi deri në darkë dhe janë perfekte për tu ngrënë si nga fëmijët e deri tek të moshuarit.

Kështu që përgatitja e tyre në shtëpi është thuajse e domosdoshme për të gjithë familjen.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni recetën e disa biskotave fantastike italiane që serviren kryesisht për festa dhe specifikisht për Pashkë.

Këto biskota fantastike do të mbushin shtëpinë me një aromë ndjellëse festive.

Receta e tyre vjen nga Italia dhe biskotat përgatiten kryesisht për Pashkë.

Biskotat e mëposhtme mund të shoqërohen me çaj, lëngje frutash por edhe kafe.

Si Të Përgatisni Biskotat e Pashkëve Në Shtëpi

Gjysëm filxhani çaji gjalpë

4 filxhanë e gjysmë çaji miell

6 vezë

2 lugë gjelle pluhur pjekës

Gjysëm luge çaji kripë

1 lugë çaji ekstrakt anasoni

Lëkura e  grirë hollë e një limoni

Lëngu i një gjysmë limoni

1 filxhan çaji sheqer

Çerek filxhani qumësht

1 filxhan çaji sheqer pluhur

2 lugë gjelle ujë

Treçerek luge çaji ekstrat anasoni.

Përgatitja

Ndizeni furrën dhe ndani mënjanë disa letra pjekjeje.

Në tasin e mikserit të kuzhinës përzieni së bashku, gjalpin dhe sheqerin për dy minuta dhe më pas shtoni vezët, lëkurën e limonit, lëngun e tij dhe ekstraktin e anasonit.

Përziejini deri sa masa të jetë e njëjtrajtshme dhe pa kokrriza.

Më pas shtoni miellin, pluhurin pjekës, kripën dhe qumështin.

Vazhdoni me përzierjen deri sa brumi të formohet plotësisht.

Ndajeni brumin në toptha të vegjël dhe secilit prej tyre jepuni formën e gërshetit e më pas bashkoni të dy pjesët fundore.

Secilën prej tyre vendoseni mbi letrën e pjekjes dhe piqini në furrë për rreth 20 minuta ose deri sa të marrin një ngjyrë të artë.

Ndërkohë që prisni sa të ftohen, përzieni sheqerin pluhur, ujin dhe ekstraktin e anasonit dhe lyejini biskotat e pjekura një nga një.

Për dekorimin e biskotave mund të përdorni edhe me produkte pastiçerie pluhur dhe shumëngjyrëshe për tu dhënë atyre nota festive. /AgroWeb.org