Mishi i pulës ofron mundësinë e shumë gatimeve të shijshme, të lehta e të shëndetshme.

Ai kombinohet mjaft mirë me një sërë ushqimesh siç janë brokoli dhe kërpudhat.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni recetën e thjeshtë të eskallopit kremoz me fileto pule, kërpudha, brokoli dhe krem pana.

Vetë fjala ‘eskallop’ e ka origjinën në Francë dhe u fut në terminologjinë e kulinarisë në shekullin e 17. Domethënia e saj është mish i hollë i mbështjellë dhe i gatuar mirë.

Kjo recetë është shumë e shijshme dhe mund të serviret jo vetëm në drekë por edhe në mbrëmje.

Eskallop Kremoz Pule Me Kërpudha

Për këtë gatim ju nevojiten:

Vaj ulliri,

2 fileto të mëdha pule të prera hollë.

Gjysëm qepe e grirë hollë,

1 thelb hudhër e grirë hollë,

100 gramë kërpudha të prera,

250 ml lëng pule,

100 ml pana,

1 lugë gjelle me majdanoz të freskët,

300 gramë brokoli

Përgatitja:

Vendoseni tiganin e thellë në zjarr dhe hidhni pak vaj ulliri.

Pasi të jetë nxehur vendosni filetot e pulës dhe kavërdisini nga të dyja anët për rreth 10 minuta ose deri sa sipërfaqja të ketë marrë një ngjyrë kafe të çelët.

Hiqini filetot nga zjarri dhe lërini mënjanë.

Në të njëjtin tigan shtoni pak vaj dhe kavërdisni qepët për 2-3 minuta ose deri sa të zbuten dhe të bëhen të tejdukshme.

Shtoni hudhrën dhe kavërdisini së bashku për një ose dy minuta të tjera.

Më pas vjen rradha e kërpudhave të cilat duhen skuqur deri sa të marrin ngjyrë kafe.

Nëse kërpudhat ngjisin në tigan, shtoni pak lëng pule ose ujë.

Kur kërpudhat të jenë gatuar plotësisht shtoni filetot te pulës dhe lëngun e mishit të saj.

Vendosni një kapak mbi tigan, uleni temperaturën dhe lërini përbërësit të gatuhen së bashku për 12-15 minuta.

Shtoni kripën, piperin, tufat e vogla të brokolit dhe kremin pana.

Në fund të gatimit mund të shtoni gjethet e grira imët të majdanozit dhe servireni menjëherë./AgroWeb.org