Mënyrat për ta përdorur janë të pafundme, duke filluar nga ëmbëlsirat e deri tek të kripurat.

Petët sfoliatë karakterizohen nga përbërja e tyre ku baza është gjalpi dhe nga shija unike që i jep çdo gatimi.

Përgatitja e petëve sfoliatë kërkon pak durim dhe pak eksperiencë me përgatitjen e brumrave, gjë që amvisat shqiptare e kanë.

Për të zbuluar të gjithë sekretet e përgatitjes së petëve sfoliatë në shtëpi, lexoni recetën e re që AgroWeb.org ka sjell për ju.

Përbërësit

175 g miell

100 g ujë

5 g kripë

Për bazën e gjalpit nevojiten

250 g gjalpë i freskët i ndarë në copa të vogla

150 g miell

Përgatitja

Për të përgatitur petët sfoliatë si fillim AgroWeb.org ju udhëzon të përgatisni brumin.

Në një gotë të vogël tresni kripën në sasinë e ujit të nevojitur. Miellin hidheni në një tas dhe shtoni ujin me kripën.

Duhet ta punoni derisa brumi të lidhet dhe përbërësit të kenë formuar një masë homogjene, e cila do të jetë jo shumë elastike.

Brumi nuk duhet që t’ju ngjitet në duar, prandaj nëse e shikoni që ka nevojë për miell mund t’i shtoni dhe pak kur ta punoni.

Mbulojeni këtë brum dhe lëreni në temperaturën e ambjentit.

Përgatitja e bazës së gjalpit

Në një tas tjetër hidhni pjesën tjetër të miellit për të përgatitur bazën me gjalpë.

AgroWeb.org ju këëshillon që gjalpin ta ndani në kubikë sa më të vegjël, pasi në këtë mënyrë do të punohet më mirë.

Me duar filloni të punoni miellin dhe gjalpin derisa të marrin formën e thërrimeve.

Kjo metodë lejon që baza e gjalpit të jetë e njëtrajtshme, duke i dhënë petës dëndësinë e duhur.

Më pas fillojeni dhe punojeni me ndihmën e një teli kuzhine apo lopate (spatule) kuzhine, ky brum nuk punohet me duar pasi gjalpi do të shkrijë nga temperatura e duarve.

Nuk ka nevojë të punohet gjatë, AgroWeb.org ju këshillon që mjafton që sipërfaqja e tij të jetë e lëmuar dhe pa kokrriza.

Hapja e petës

Vendoseni në tavolinën ku do ta punoni, dhe me miell dhe një petës jepini formën e një pete të vogël katrore.

Mund ta hapni dhe me duar nëse e keni më të lehtë më pas lëreni për pesë minuta në temeraturë ambjenti.

Nëse e shikoni që kjo bazë ju është bërë pak më e butë, AgroWeb.org ju këshillon ta vendosni në frigorifer përreth 10 minuta.

Merrni brumin e përgatitur me miell dhe ujë, fillojeni punojeni me petës derisa ta hapni në një petë katrore rreth 28 cm.

Brenda tij vendosni diagonalisht bazën e gjalpit, dhe mbulojeni si zarf me cepat e petës. Mundohuni që peta të ketë mbuluar plotësisht bazën e gjalpit.

Me petësin e trashë hapeni gjithmonë në gjatësi, jo në gjerësi, duke e spërkatur shumë pak me miell. Peta do të fillojë të marri formën e një drejtëkëndëshi, gjë që ju lehtëson me hapat e tjerë.

Paloseni petën për së gjati në tre shtresa, dhe fillojeni dhe hapeni përsëri me petës sa ajo të shtypet pak, më pas duhet ta lini përreth 30 minuta në frigorifer të mbuluar.

Nxirreni nga frigoriferi dhe punojeni përsëri me petës të trashë, përsëri në gjatësinë e petës.

Sapo ajo të jetë sheshuar pak do ta palosni përsëri në katër shtresa si një libër.

Pasi ta keni palosur, dhe shtypur pak me petës vendoseni përsëri në frigorifer.

Përsëriteni këtë hap dhe për dy herë të tjera: njëherë të palosur në tre shtresa, dhe më pas në katër.

Kur t’i keni kaluar të gjitha hapat, peta e sfoliatës duhet të qëndrojnë në frigorifer për 60 minuta që të jetë gati për t’u përdorur në receta./AgroWeb.org