Tumaca është një nga gatimet më të hershme e të vjetra të kuzhinës shqiptare. Ky specialitet është zahire e përgatitur si trahanaja, dromkat, rosnicat apo petkat. Tumacat janë pite të thara të copëtuara në kubikë.

Ky gatim e ka prejardhjen nga kuzhina turke dhe prej shekujsh është bërë pjesë e kuzhinës shqiptare,

Në disa zona të vendit quhet Tumacë e në disa të tjera, kryesisht në Shqipërinë e Mesme quhet Tutmoç.

Tumaca jo vetëm që përgatitet në mënyra të ndryshme por edhe kombinimet e saj janë të larmishme e plot shije gjithashtu.

Ato mund të përgatiten në formën e supës së trashë por edhe të mbuluara me salca të ndryshme.

AgroWeb.org sjell më poshtë një recetë shumë të vjetër arbëreshe, të trashëguar brez pas brezi emri i të cilës është “Tumac shpie Skanderbeg”.

Mësohet se tumaca ka qenë një nga gatimet e shtruara në sofrën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Përgatitja e Tumacës së Shtëpisë sipas Traditës Arbëreshe

Përbërësit

Për piten

½ kg miell

100 ml ujë të vakët

100 ml qumësht

1 kokërr vezë

Kripë

Për salcën

500 gr domate të freskëta

Një hudhër të plotë

Majdanoz të freskët

Borzilok të freskët

Një filxhan kafeje me copa bajamesh

100 gramë djathë nga qumështi i deles

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja

AgroWeb.org ju udhëzon të hidhni miellin, vezën, kripën, qumështin dhe ujin e vakët në një tas dhe përgatisni brumin duke e punuar me duar derisa të krijohet një masë e butë.

Lyejeni masën e brumit me pak vaj ulliri, lëreni të pushojë për 30 minuta e më pas ndajeni në toptha jo shumë të vegjël, pasi petat që do hapni duhet të kenë trashësinë e pites.

Petët që do hapni më pas, shtrojini në një vend ku ka diell apo është ngrohtë dhe lërini që të thahen mirë.

Pasi të jenë tharë thyejini dhe ndajini në copa të vogla katrorësh dhe janë gati.

Përgatitja e salcës  

Për përgatitjen e salcës, si fillim AgroWeb.org ju udhëzon të grini hollë domatet dhe t’i vendosni në një tigan të madh apo tenxhere dhe t’i kaurdisni me vaj ulliri derisa volumi i domateve të bjerë.

Shtoni hudhrat dhe bajamet e thërrmuara, majdanozin dhe borzilokun e grirë hollë, hidhni dy gota me ujë dhe lëreni që të masa të nisë të vlojë.

Në momentin që salca nis të vlojë hidhni pitet e thara, pra tumacët, (për një person masa është një filxhan çaji e pak me kubikët e piteve të thara).

Lëreni të ziejnë bashkë derisa pitet të zbuten dhe lëngu të bëhet në fomën e salcës pak të lëngshme.

Ose një variant tjetër është edhe përgatitja e tumacëve siç përgatiten makaronat.

Zihet uji në një tenxhere me kripë e pak vaj ulliri. Kur të vlojë hidhen tumacët të ziejnë derisa të zbuten.

Në një enë tjetër përgatiten domatet me hudhrat dhe erëzat si më sipër vetëm se lihen që ziejnë plotësisht derisa salca të trashet.

Më pas, salca u hidhet sipër tumacëve.

Në të dyja rastet e përgatitjes, tumaca shërbehet e ngrohtë dhe sipër spërkatet me djathë të bardhë deleje (receta e ka djathë deleje por ju sipas preferencës mund të përdorni djathra të ndryshëm. /AgroWeb.org