Ulliri është një nga pemët më të dashura e më të shenjta për njerëzimin.

Ajo është një simbol i paqes dhe miqësisë.

Pema shtatshkurtër e ullirit është kthyer në një domosdoshmëri për shumë shtëpi dhe ambiente familjare.

Kjo pemë mesdhetare është fantastike sepse ka një tolerancë të lartë ndaj ajrit të thatë dhe përshtatet mjaft mirë me ambientet e shtëpisë.

Në habitatin e saj natyral, një pemë ulliri mund të arrijë një lartësi prej 6 metrash.

Por AgroWeb.org ju sugjeron ta mbillni atë në saksi dhe me pak kujdes ju mund të mbani nën kontroll rritjen e saj.

Pemët shtatshkurtra të ullirit rriten deri në 1.8 metra.

Forma kompakte dhe lartësia e saj e preferuar arrihen nëpërmjet krasitjes së rregullt.

Degët e ullirit vishen me gjethe të gjelbra me nuancë gri që arrijnë një gjatësi nga 2.5 deri në 8 centimetra.

Gjatë verës, pema çel lule të vogla me ngjyrë të bardhë, të cilat i paraprijnë kokrrave të vogla të ullirit.

Si Të Rrisni Dhe Përkujdeseni Për Pemën E Ullirit

Ullirin mund ta mbillni me farë ose me filizë, ndonëse këta të fundit hasin shumë vështirësi në lëshimin e rrënjëve.

AgroWeb.org ju këshillon të zgjidhni vazo të mëdha me vrima në fund të sipërfaqes për të lejuar kullimin e ujit.

Çdo vit, pema e ullirit ka nevojë për një vazo më të madhe.

Dheu ku do të rritet pema shtatshkurtër e ullirit ka nevojë të ushqehet çdo dy javë me pleh organik.

Sa i përket ujitjes, jini bujarë por mos e teproni.

Në momentin që pjesa e dheut të jetë e tharë, ujiteni sërish.

Dheu nuk duhet të jetë i qullët, në të kundërt pema nuk do të çelë.

Gjatë dimrit, pema nuk ka nevojë për shumë ujë.

Pema e ullirit ka tolerancë ndaj nxehtësisë, ndaj mos u shqetësoni për të gjatë ditëve të verës.

Krasiteni pemën rregullisht që t’i jepni formën e preferuar.

AgroWeb.org ju vë në dukje se krasitja rekomandohet të kryhet në pranverë duke filluar nga degët më të gjata dhe duke i dhënë formën e dëshiruar.

Pema e ullirit ka nevojë për dritën e diellit, ndaj zgjidhni një vendndodhje të mirë për të plotësuar nevojat e saj.

Me këto këshilla, do të zbuloni se pema e ullirit ia vlen të rritet në shtëpi.

Ajo i jep ngjyrë ambienteve tuaja dhe ka një jetë të gjatë. /AgroWeb.org