Selinoja ngjan si një perime e mërzitshme, megjithatë, ajo pasuron shijet e supave, gjellërave, mishit të pulës e gjelit të detit, por edhe salcave.

Mineralet, vitaminat dhe ushqyesit që gjenden tek selinoja janë në harmoni të përkryer.

Gjethet e selinosë janë plot me vitaminë A.

Kërcenjtë janë të mbushur me vitaminat B1, B2, B6 dhe C, por edhe me kalium, acid folik, kalcium, magnez, hekur, fosfor, sodium dhe amino acide aq të nevojshme.

Ruajtja e tyre shkon krah më krah me kujdesin për perimen deri sa të vijë momenti i gatimit.

Si Të Ruani Selinonë e Freskët

Nëse do të blini një selino të plotë, kujdesuni që gjethet e saj të mos kenë njolla të verdha ose kafe.

Këto njolla tregojnë se selinoja nuk është e freskët.

Kërcenjtë e saj duhet të jenë të gjelbër dhe të fortë.

Nëse ato janë të rrudhur, selinoja nuk është e freskët.

Selinoja duhet ruajtur në një vend me lagështi në frigorifer.

Mbajeni larg pikave të akullta të frigoriferit sepse selinoja ka tendencën të ngrijë lehtësisht dhe më pas të kalbet.

Në kushtet e duhura, selinoja mund të qëndrojë në frigorifer për 1-2 javë.

Një mënyrë për ruajtjen afatgjatë të selinosë është që të ndani kërcenjtë dhe gjethet veçmas.

Më pas kërcenjtë duhen mbështjellë me letër kuzhine dhe më pas duhet futur në një qese plastike për perime e cila mbyllet me zinxhir.

Një mënyrë tjetër për ruajtjen e selinosë është mbështjellja e kërcenjve dhe gjetheve me letër alumini.

E mbështjellë me letër alumini, selinoja do të qëndrojë e freskët për 2-4 javë.

Si të Përgatisni Lëngun e Selinosë

Pastrojeni mirë selinonë me ujë të bollshëm.

Priteni në shirita të hollë që të përftoni sa më shumë lëng prej tyre gjatë shtrydhjes.

Lëngun e selinosë mund ta përzieni me lëngun e freskët të mollës, karrotës apo perimeve të tjera.

Nëse dëshironi që lëngu juaj i selinosë të jetë i ëmbël, atëherë përdorni vetëm një kërcell selinoje.

Lëng Selinoje, Molle dhe Majdanozi

Përbërësit:

  • 8 kërcenj selino,
  • 2 mollë jeshile
  • Një tufë me majdanoz (i jep trupit shumë alkalinë)

Përgatitja: 

Shtrydhni në fillim 4 kërcenj selinoje, dhe më pas shtoni majdanozin, mollët dhe më pas pjesët e mbetura të selinosë. Lëngun duhet ta pini menjëherë për të marrë të gjithë ushqyesit e nevojshëm./AgroWeb.org