Simitet me susam janë suvenirë që shumë prej nesh i kujtojmë me ëndje gjatë udhëtimeve të ndryshme në vendet fqinjë.

Këto simitë rrethore, krokante që kënaqin shqisat e shijes gjenden në variante dhe përmasa të ndryshme nga Stambolli deri në Liban.

Simitet e veshura me fara susami janë gatuar për herë të parë në Stambollin e lashtë në vitet 1500.

Ato gatuhen lehtë dhe serviren me djathtë, kastravec, domate e ullinj  ose veçmas.

Në këtë artikull do të mësoni se si t’i bëni këto simite në rehatinë e shtëpisë suaj, pa patur nevojë të kryeni një udhëtim turistik.

Simitet me Susam Krejt Lehtë Në shtëpi

Përbërësit

1 lugë gjelle me maja

1 lugë çaji me sheqer

500 gramë miell shumë përdorimësh dhe pak më tepër.

185 ml pekmez

300 gramë fara susami

Përgatitja

Shkrijeni majanë në një enë të mbushur me 60 ml ujë të ngrohtë.

Shtoni sheqerin dhe enën vendoseni në një vend të ngrohtë për 5 minuta deri në momentin që bulëzat arrijnë në sipërfaqe.

Më pas shtoni 310 ml ujë të ngrohtë.

Përzieni miellin me një lugë e gjysmë kripë.

Shtoni masën e majasë dhe përziejeni me duar deri sa të formohet brumi.

Transferojeni brumin nga ena në një sipërfaqe të sheshtë e të pudrosur me miell.

Punojeni brumin me duar për 10 minuta deri sa të jetë i butë dhe elastik.

Jepini brumit formën e një topi dhe vendoseni në një enë të lyer me vaj.

Mbulojeni me napë dhe lëreni të qëndrojë në një vend të ngrohtë për një orë ose deri sa të vijë.

Merrni tepsitë dhe vendosni sipër tyre letrat e pjekjes.

Merreni brumin dhe vendoseni në sipërfaqen e pudrosur e ndajeni në 10 kuleçë të vegjël e të barabartë.

Përzieni pekmezin me 80 ml ujë në një enë të madhe.

Farat e susamit vendosini në një pjatë të madhe.

Punojini kuleçët një e nga një duke u dhënë formën gjarpëroshe 55 cm të gjatë.

Paloseni shiritin në dysh dhe më pas punojeni në ajër deri sa t’i jepni formën rrethore.

Ngroheni furrën në 220 gradë.

Secilin prej rrathëve lyejeni me masën e pekmezit, lëreni të thahet dhe më pas zhyteni në farat e susamit.

Vendosini në tepsi dhe lërini të qëndrojnë në një vend të ngrohtë për 20 minuta.

Më pas futini në furrë dhe piqini për 17 minuta ose deri sa të marrin ngjyrë të artë.

Hiqini nga furra dhe lërini të ftohen pakëz.

Simitet duhen ngrënë brenda ditës ose në të kundër bëhen shumë të fortë./AgroWeb.org