Salca e domates e bërë në shtëpi është e mrekullueshme për t’u dhënë shije ushqimeve.

Çdo pjatë mund të pasurohet në shije nëse i shtojmë salcë domatesh të përgatitur në shtëpi.

Nga recetat e makaronave e deri tek fërgesat apo turlitë me perime të shumëllojshme të stinës, salca e domates është një hap thelbësor për përgatitjen e shumë recetave.

Por shija e saj është vërtetë mbresëlënëse kur kombinohet me specat e skuqur, dhe këtë recetë j’ua sjell sot AgroWeb.org.

Si Të Përgatisni Specat e Skuqur me Salcë Domatesh dhe Hudhra

Përbërësit:

6 speca të gjatë me ngjyrë jeshile

3 thelbinj hudhër

2-3 kokrra domate të mëdha

Përgatitja:

Qëroni hudhrat dhe prijini lehtë me majën e thikës.

Më pas lërini mënjanë.

Në këtë mënyrë, hudhra do të ketë të gjithë kohën e duhur për të çliruar alicinën, substancën që i jep hudhrës të gjitha vlerat kundër infeksioneve, mikrobeve dhe baktereve.

Ndërkohë lajini specat me ujë të bollshëm.

Për t’i pastruar nga pesticidet ju mund t’i lini specat bashkë me domatet e paqëruara në një tas të mbushur me ujë dhe një lugë gjelle me sodë buke.

Lërini në ujë për 15 minuta dhe më pas shpëlajini me ujë të bollshëm.

Hiqini bishtat dhe farat (nëse i preferoni në këtë mënyrë, në të kundërt mund t’i skuqni me gjithë fara e bishta) thajini me letër kuzhine dhe skuqini në një tigan të thellë duke përdorur pak vaj.

Sigurohuni që skuqja e specave të jetë e njëjtrajtshme.

Përgatitja E Salcës Së Domates

Ndërkohë që specat skuqen, ju mund të shpëlani domatet me ujë të bollshëm dhe t’i hiqni lëkurat.

Më pas kalojeni domaten në rende ose priteni në kubikë.

Nëse zgjidhni alternativën e fundit salca e domates do të jetë më e trashë.

Hiqini specat e skuqur dhe vendosini në një pjatë të pastër.

Nëse dëshironi, domatet mund t’i hidhni në yndyrën e specave, por sipas preferencës ju mund t’i hidhni në një tigan tjetër.

Hidhni vaj ulliri në tigan dhe pasi të jetë ngrohur, hidhni domatet e grira ose të prera.

Hudhra Duhet Hedhur Në Fund

Lërini të gatuhen pa kapak deri sa të shterojë lëngu i tyre.

Ndërkohë që domatet skuqen ju mund të grini hudhrat hollë ose trashë sipas preferencës.

Në momentin kur lëngu i domates ka shteruar dhe ka mbetur vetëm një salcë e trashë dhe kremoze hidhni hudhrat dhe kripën.

Hudhrat hidhen në fund të gatimit sepse në këtë mënyrë, shija e domates dhe hudhrës plotësojnë njëra tjetrën por nuk e mposhtin njëra tjetrën.

Nëse e hidhni hudhrën bashkë me domaten, shija dhe aroma e saj do të shuhet plotësisht gjatë gatimit.

Salcën mund ta hidhni në anë të pjatës së specave si garniturë, ose t’i mbuloni specat me salcën e trashë të domates.

Kjo pjatë e bollshme do t’ju ngopë dhe do ju shijojë. /AgroWeb.org