Spinaqi është një nga barishtet më të shëndetshme për njeriun.

Ai njihet për vlerat e tij ushqyese dhe ka aftësi të jashtëzakonshme për të  kthyer energjinë,dhe përmirësuar cilësinë e gjakut.

Spinaqi është  i pasur me hekur.

Ky mineral luan një rol kryesor në funksionimin e qelizave të kuqe të gjakut. Ai ndihmon në transportin e oksigjenit në trup, në prodhimin e energjisë dhe në sintezën e ADN-së.

Mënyrat e gatimit të spinaqit janë të panumërta.

Receta që rekomandon AgroWeb.org është shumë e thjeshtë në përgatitje por jashtëzakonisht e shijshme.

Spinaq Me Qumësht E Hudhër

Përbërësit:

600 gramë spinaq

Treçerek filxhan çaji me gjalpë të freskët

1 qepë e vogël e grirë hollë,

2 thelbinj hudhre të grirë hollë,

3 lugë gjelle me miell,

2 gota e gjysmë me qumësht me yndyrë të plotë,

1 lugë çaji me kripë,

Një majë luge çaji me piper të zi.

Përgatitja:

Hidheni spinaqin e larë në një tigan dhe gatuajeni me pak vaj ulliri deri sa të zbutet.

Hiqeni tiganin nga zjarri, kullojeni spinaqin, lëreni mënjanë në një pjatë dhe vendosni një tenxhere në zjarr.

Hidhni gjalpin dhe kur të jetë shkrirë e nxehur shtoni copat e qepës.

Kavërdisini për 4-5 minuta duke i përzier herë pas here.

Shtoni hudhrën, skuqeni për rreth 1 minutë dhe më pas shtoni miellin.

Përziejini përbërësit dhe lërini të skuqen deri sa e gjithë masa të lëshojë bulëza.

Tani është koha të shtoni qumështin dhe duhet ta bëni ngadalë e në mënyrë graduale.

Përziejeni vazhdimisht dhe kur e gjithë masa të valojë e të trashet shtoni kripën dhe piperin.

Shtoni spinaqin dhe përziejeni mirë me lugë druri.

Kur masa të valojë, hiqeni nga zjarri.

Kjo pjatë ofron 130 kalori dhe 260 mg kalium.

Kaliumi është një mineral që i ndihmon qelizat të funksionojnë siç duhet.

Nervat, muskujt, por edhe zemra nuk do të punonin siç duhet nëse nuk do të ishte kaliumi.

Ndaj dhe kjo recetë jo vetëm për shijen por edhe për vlerat ushqyese që ka vlen me patjetër të jetë pjesë e menusë së gatimeve të amvisave në shtëpi./AgroWeb.org