Cilado qoftë koha e vitit – kungulli është një perime krejt e mrekullueshme dhe për më tepër është baza e një supe krejt shijeplotë me të cilën mund të krenoheni në kuzhinë.

Më poshtë do të mësoni nga AgroWeb.org një recetë fantastike për supën e kungullit, por së pari mësoni disa vlera të saj

Vlerat shëndetësore

Përmirëson shëndetin e zemrës. Vajrat esencialë të kungullit përmbajnë një substancë me bazë bimore të njohur si fitosterol. Sipas studimeve të ndryshme, kjo substancë ul ndjeshëm kolesterolin e keq.

Loading...

Redukton rrezikun e tumoreve. Beta-karoteni është një nga antioksidantët më të efektshëm në botë dhe kungull përmban sasi shumë të larta të këtij ushqyesi që cilësohet nga mjekësia zyrtare si zgjidhja natyrale ndaj sëmundjes së shekullit.

Mbron dhe rinon lëkurën. Një tjetër përfitim i mrekullueshëm i supave të kungullit dhe është se karotenoidet që gjenden në këtë ushqim ndihmojnë në mbajtjen e lëkurës të shëndetshme dhe largojnë rrudhat e fytyrës.

Forcon sistemin imunitar. Supa me kungull është e pasur me Vitaminë C, e cila është një nga vitaminat kryesore e njohur në rolin e rritjes së sistemit imunitar. Në fakt, kjo është një nga përfitimet më të rëndësishme shëndetësore të supave të kungullit, sepse pengon trupin të sulmohet nga sëmundje të ndryshme virale dhe bakteriale.

Përbërësit e supës së kungullit:

2 kunguj mesatarë, 2 qepë, 2 lugë gjelle vaj ulliri, 2 gota me lëng pule, 1 gotë ujë, 1 lugë gjelle mjaltë, 1 lugë çaji kanellë, një lugë çaji xhinxher të grirë ose pluhur

Ngrohni furrën në temperaturën 200 gradë. Merrni dy kunguj të verdhë të madhësisë mesatare dhe ndajini në dysh. Hiqjani farat dhe vendosini në furrë nga ana e lëkurës mbi një letër kuzhine.

Lërini të piqen për 35-40 minuta ose derisa tuli i kungullit të zbutet. Nxirrini nga furra dhe me një lugë gërryeni dhe mblidheni të gjithë tulin e kungujve.

Tulin kalojeni në mikser që t’i jepni formën e puresë. Në një enë metalike hidhni vajin e ullirit dhe qepët e grira mira dhe kavërdisini për 5-10 minuta. Më pas në të njëjtën enë, bëni bashkë tulin e kungujve dhe shtoni lëngun e pulës, ujin, një lugë gjelle mjaltë, si edhe erëzat.

Lërini të ziejnë duke i trazuar nga pak në zjarr të avashtë për 30 minuta. Lëreni të ftohet paksa dhe servireni bashkë me fara të pjekura kungulli dhe pak piper të kuq./AgroWeb.org

 

Loading...