Supat janë ndër ushqimet që rekomandohen më shumë në këtë stinë kur temperaturat janë ulur dhe virozat qarkullojnë kudo.

Qoftë me perime, apo me mish pule, supat janë padyshim jo vetëm të shijshme por edhe shumë të shëndetshme.

Ato ofrojnë shumë vlera të rëndësishme për të gjithë organizmin duke plotësuar shumë nevoja për ushqyes.

Supa që rekomandon AgroWeb.org në këtë artikull është ideale për t’u përgatitur në çdo kohë.

Ajo mund të shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me gatime të ndryshme siç janë: sallata jeshile, buka e thekur, byrek, perime të pjekura, djathra dhe turshi shtëpie.

Më poshtë, AgroWeb.org ju sjell më poshtë hapat e thjeshtë që duhet të ndiqni për përgatitjen e kësaj supe dimërore në shtëpi, një mënyrë e shkëlqyer për të rigjallëruar o rganizmin dhe kënaqur oreksin gjithashtu.

Receta e Supës së Ylbertë të Dimrit

Përbërësit:

2-3 karrota të pastruara dhe të copëtuara

3 patate mesatare

3 presh të larë e të prerë në copa

Një lugë gjalpë të freskët (sipas dëshirës)

Një lugë gjelle vaj ulliri

Koncentrat pule

1 lugë gjelle oriz ose një grusht me makarona të vogla

8 filxhanë ujë

Kripë, piper dhe limon

Përgatitja:

Qërojini perimet dhe prijini në copa të vogla.

Vendosni tenxheren në zjarr dhe hidhni gjalpin.

Kur ai të jetë nxehur hidhini të gjitha perimet dhe kavërdisini lehtë për 2 minuta.

Më pas shtoni ujin dhe koncentratin e mishit të pulës.

Sasia e ujit është e tëra në varësi të preferencës.

Nëse dëshironi që supa të jetë e trashë shtoni më pak ujë.

Përziejini të gjithë përbërësit me lugë druri dhe lërini të ziejnë.

Uleni temperaturën dhe sigurohuni që perimet të ziejnë ngadalë për 35 minuta.

10 minuta përpara zierjes përfundimtare shtoni orizin ose makaronat dhe mbylleni kapakun.

Kontrollojeni supën për kripë. Shtoni sipas dëshirës dhe plotësojeni supën me piper e erëza të tjera sipas dëshirës suaj.

Kur ta servirni, shtoni pak lëng limoni./AgroWeb.org