Një recetë e lehtë dhe e mrekullueshme sidomos tani në stinës e verës ku ushqimet e lehta janë padyshim më të mirat për organizmin.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë supën verore me miell misri dhe kos, produkte të cilat lehtësisht i gjeni në shtëpitë tuaja.

Një recetë që përgatitet krejt lehtë e që të përfshin tërësisht me shijen e saj unike.

Përbërësit për 4-5 persona

3 lugë gjelle miell misri

2 lugë gjelle gjalpë ose vaj ulliri

2 gota me lëng mishi

1 gotë qumësht

1 kokërr vezë

4-5 lugë gjelle kos

2 feta bukë

Kripë

Piper

Përgatitja

Në një tenxhere shtojmë gjalpin e freskët, ose vajin e ullirit dhe miellin e misrit. E vendosim në zjarr mesatar derisa të ketë marrë një ngjyrë kafe të hapur.

Shtojmë pak nga pak lëngun e mishit duke e përzierë vazhdimisht, që të mos krijohen kokrriza.

Nëse nuk keni lëng mishi, mund të hidhni në masën e ujit një tabletë me koncentrat perimesh ose lëngu mishi.

Më pas i shtojmë kripë sipas dëshirës, masa e krijuar lihet në zjarr të ngadalshëm, derisa të jetë në një trashësi mesatare.

Pasi të ketë zierë, e heqim tenxheren nga zjarri dhe e lëmë mënjanë që të ftohet.

Në një tas rrahim vezën dhe gotën e qumështit, dhe kur supa të jetë e ftohur e shtojmë aty.

AgroWeb.org ju këshillon që kur të rrihni vezën, qumështin ta keni ngrohur fare pak, kështu ajo nuk do të pritet kur ta hidhni tek supa.

Në një tigan hedhim pak gjalpë, dhe kur ai të jetë ngrohur shtojmë aty bukën që e kemi prerë më parë në kubik të vegjël.

I spërkatim me kripë dhe piper dhe i lëmë në zjarr derisa të kenë marr ngjyrë të artë.

Servirja

Kur shërbehet, në pjatë hidhet supa, më pas një lugë me kos.  Në fund shtohen kubikët e bukës së skuqur.

AgroWeb.org ju sugjeron që për këtë recetë të përdorni kos deleje, pasi është më i trashë dhe me më pak ujë.

Nëse do të përdorni kos të bërë vetë në shtëpi, mundohuni që të hiqni ujin e tepërt, në këtë mënyrë supa do të ruaj shijen e saj.

Kjo supë kombinohet në mënyrë perfekte me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, bukë të thekur apo byrekë të ndryshëm shtëpie. /AgroWeb.org