Barbunjat apo mashurkat janë perime të pasura plot vlera shëndetësore për organizmin.

Duke qenë se janë një burim perfekt hekuri për trupin tonë, këshillohet që kur janë në sezon të konsumohen sa më shumë.

Recetat klasike të barbunjave na kanë shoqëruar pothuaj që në fëmijëri, kur gjyshet i përgatisnin në mes të javës.

AgroWeb.org sot ju sjell një recetë shumë të lehtë të barbunjave me mish të grirë në furrë.

Kjo tavë është shumë e lehtë për t’u përgatitur dhe nuk do t’ju kërkojë vetëm 45 minuta nga koha juaj.

Për ta shoqëruar ka mënyra të pafundme, duke filluar nga sallatat me perime të freskëta e deri tek taratori me kos.

Përbërësit për 4-6 persona

250 gr mish të grirë (nëse preferoni tavën mund ta përgatisni edhe pa mish të grirë)

500 gr barbunja

115 gr patate

2 qepë mesatare

400 gr domate

2 lugë gjelle me vaj ulliri

240 ml ujë

Kripë dhe piper

Majdanoz

Përgatitja

Ngrohni furrën në 180-200 gradë në varësi të sobës suaj.

Si fillim qëroni barbunjat, patatet, qepët dhe domatet dhe shpëlajini me ujë të bollshëm.

Në një tenxhere hidhni vajin e ullirit dhe vendoseni në zjarr shtoni aty mishin e grirë që të skuqet.

Ndërkohë grini sa më imët qepët dhe hidhini në tenxhere për t’i skuqur lehtë.

PWrzjejini herë pas here në mënyrë që qepët apo mishi të mos ngjitet.

Hidhni kripë dhe piper për shije sipas preferencës dhe lërini në zjarr të ngadaltë.

Patatet pasi t’i keni larë pritini në kubikë dhe shtojini tek tenxherja.

Po njësoj veproni edhe me barbunjat dhe domatet.

AgroWeb.org ju këshillon që nëse barbunjat janë shumë të gjata, mjafton t’i prisni në disa pjesë.

Me një lugë druri përzjejini për 3-5 minuta.

Më pas kalojeni të gjithë masën me perime tek një tavë ku të shtoni edhe ujin e nevojitur në recetë.

Futeni në furrë për t’u pjekur, por kini kujdes që të shikoni herë pas here nëse uji është përtharë plotësisht.

Kjo metodë nuk do të lejojë që perimet të zbuten por do të arrijnë të ruajnë formën e tyre.

Para se t’i servirni spërkateni tavën me majdanoz dhe lëreni të ftohet pak.

Shërbehen të ngrohta dhe janë perfekte për t’i shoqëruar dhe me oriz të thjeshtë./AgroWeb.org