Lulet e kungullit mund të themi që janë risia më e lezetshme e kuzhinës dhe gatimit.

Përgatitja e tyre është një proçes i veçantë dhe rezultati i mrekullueshëm.

Kanë një shije të lehtë dhe shumë interesante, si asgjë që keni provuar më parë.

Në recetën e sotëme AgroWeb.org ju tregon mënyrën e saktë të përgatitjes së luleve të kungullit të mbushura e të pjekura në furrë me kripë dhe piper.

Do t’ju duhen shumë pak përbërës të cilët i gjeni shumë lehtë në shtëpitë tuaja.

Prandaj filloni menjëherë më përgatitjen për t’i shijuar në vaktin pasardhës.

Përbërësit

10 lule kungulli

3 patate mesatare

3 lugë gjelle vaj ulliri

4 vezë

3 lugë gjelle gjizë pa kripë

3 lugë gjelle djath kaçkavall i grirë

1 tufë e vogël majdanoz i grirë

1 filxhan çaji thërrime buke të pjekur

kripë

piper

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të pastroni fillimisht patatet me ujë të bollshëm.

Më pas ashtu siç janë, me lëkurë vendosini në një tenxhere të mbushur me ujë të ftohtë dhe më pas lërini të ziejnë për 35 minuta.

Kontrollojini herë pas here, patatet do  të jenë gati kur të shikoni që janë zbutur.

Pasi t’i hiqni nga zjarri, thajini pak me letër dhe hiqini lëkurën teksa janë ende të nxehta.

Vendosini në një enë duke shtuar 2 vezë, gjizën, djathin e grirë kaçkavall dhe majdanozin.

Përziejini mirë të gjithë këta përbërës bashkë duke i shtypur patatet në formën e një pureje.

Në fund të këtij proçesi, shtoni kripë dhe piper sipas dëshirës tuaj.

Lëreni këtë enë mënjanë dhe vazhdoni me pastrimin e luleve të kungullit duke i zhytur në ujë të bollshëm.

Hiqini kërcellin dhe pjesën e brëndëshme dhe bëni kujdes që të mos prishni gjethet e ngrënëshme.

Ngrohni paraprakisht furrën në temperaturën 180 gradë dhe zgjidhni një tavë mesatare të shtruar me letër pjekje.

Ndërkohë dy vezët e mbetura hidhini në një enë të veçantë dhe rrihini mirë.

Ndërsa në një pjatë hidhni thërrimet e bukës së thekur, në mënyrë që të bëni proçesin e lyerjes së luleve të kungullit me vezë.

Filloni me mbushjen e luleve të kungullit një nga një me purenë e patateve që përgatitët më parë.

Zhytini më pas tek pjata me vezën e rrahur dhe në fund lyejini me therrimet e bukes së thekur.

Bëjeni këtë me të gjitha lulet e kungullit dhe derisa e gjithë pureja e përgatitur të mbarojë.

Për Pjekjen

Shtrojini njëra pas tjertës ne tavë duke lënë pak hapsirë mes tyre dhe spërkatini me pak vaj ulliri kripë e piper sipër.

Futini të piqen në temperaturën 180 gradë për 30 minuta ose deri kur të marrin ngjyrë të artë.

Pasi të jenë gati servirini sipas dëshirës të ngrohta në çdo vakt./AgroWeb.org