Gatimet me sardele janë nga më të shijshmet e kuzhinës.

Përveç shijes sardelet janë nga peshqit me më shumë vitamina e minerale.

Të pasura me proteina dhe vitaminë D ndihmojnë muskujt dhe kockat.

Cilësohen si ushqimi perfekt për mbajtjen e trupit në formë pasi ulin nivelin e yndyrnave në gjak.

Janë shumë të thjeshta për t’u gatuar.

Dy mënyrat më të shijshme të gatimit të sardeleve janë gatimi me vaj ulliri dhe sardele në salcë domatesh.

Të dyja mënyrat janë shumë të thjeshta për t’u realizuar në shtëpi në mënyrë të shpejtë dhe të shëndetëshme.

Sot në AgroWeb.org do t’ju tregojmë se si të përgatisni sardelet perfekte në vaj ulliri, shumë  të buta dhe të shijshme.

Përbërësit

500 gr sardele të freskëta

50gr kripë

2 filxhanë çaji me vaj ulliri

2 gjethe dafine

1 karrotë

1 kastravec turshi

1 spec djegës

6 fara karafili

2 lugë çaji piper

1 lugë  çaji kripë

Përgatitja:

Pastroni sardelet duke i hequr kokën dhe pastruar trupin.

Vendosini në një enë me ujë dhe 50gr kripë për rreth 15 minuta.

Më pas lajini me ujë të ftohtë e të bollshëm në mënyrë që të nxirrni të gjithë papastëritë e mbetura.

Kullojini dhe hidhini në tenxheren me presion duke i bashkuar me vajin e ullirit dhe gjetet e dafinës.

Prisni një karrotë dhe një kastravec turshi në feta të holla, shtoni specin djegës dhe farat e karafilit.

Hidhni kripën dhe piper sipas dëshirës dhe mbyllni tenxheren.

Pasi të keni mbyllur tenxheren e presionit vendoseni në zjarr.

Kur tenxherja të fillojë të bëjë një zhurmë të lehtë ulni zjarrin në minimum dhe lërini të gatuhen edhe për 15-20 minuta.

Pasi ta hiqni tenxheren nga zjarri lëreni të ftohet për 15 minuta e më pas hapeni dhe vendosini sardelet në një enë.

Ju mund t’i servirni menjëherë apo t’i ruani në frigorifer duke i mbyllur hermetikisht në kavanoza qelqi, në kë mënyrë mund t’i ruani deri në 2 javë./Agro.Web.org