E ngrohtë, e shijshme, kjo është një pjatë fantastike, e cila falë ushqyesve që ka plotëson në mënyrë perfekte normën ditore të organizmit për fibra, hekur dhe proteina.

Thjerrëzat janë një burim i shëndetshëm karbohidratesh, një ushqyes makro të cilin organizmi e transformon në glukozë dhe më pas në energji.

Më poshtë AgroWeb.org ju sugjeron përgatitjen e thjerrëzave me hudhra dhe uthull.

Përgatitja e Thjerrëzave në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)  

2 filxhanë çaji me thjerrëza

1 filxhan kafeje me vaj ulliri

Spec djegës

2-3 thelpinj hudhra

Dy lugë gjelle uthull molle

Përgatitja

Thjerrëzat pastrohen, lahen, u hidhet kripë dhe vendosen të ziejnë.

Në një enë me vaj ulliri shtohet pak spec i kuq djegës, hudhra të shtypura dhe uthull.

Masa e përgatitur u hidhet thjerrëzave që kanë zierë.

Kjo është një nga mënyrat e thjerrëzave. Por mund t’i përgatisni edhe ndryshe.

Vihen në zjarr me qepë, karrota të prera në kubikë të vegjël, pak vaj ulliri dhe në fund u hidhet pjesa tjetër e vajit të ullirit, hudhrat e shtypura dhe majdanoz i grirë hollë.

Për ta trashur pak lëngun mund të hidhet edhe një kokërr patate e cila, pasi zjen shtypet.

Vlerat Shëndetësore

Supa me thjerrëza është një burim i mirë proteinash dhe fibre. Çdo racion i kësaj supe përmban 11.1 gramë fibër që plotëson një pjesë të rëndësishme të dozës prej 25-38 gramë të fibrës që duhet të konsumoni çdo ditë.

Fibra i bën mirë sistemit tretës dhe zorrëve, duke parandaluar diarenë, konstipacionin dhe sëmundje të tjera të aparatit tretës.

Një racion me supë me thjerrëza plotëson pothuaj të gjithë nevojën tuaj ditore për hekur.

Në mesin e ekspertëve të mjekësisë popullore besohet se ushqimet pikante mund të luftojnë të ftohtit, ky është edhe rasti i supës me thjerrëza./AgroWeb.org