Në ditët e nxehta të verës ushqimet më të preferuara sigurisht që janë ato që dhurojnë sa më shumë freski.

Gjithashtu një nga momentet më të preferuara për shumicën e njerëzve gjatë ngrënies është momenti i ëmbëlsirës.

Kështu që një ëmbëlsirë e freskët do të ishte zgjidhja ideale, sidomos në këtë kohë.

Për të gjithë adhuruesit e kafes receta që AgroWeb.org ju propozon sot do të jetë shumë e dashur.

Torta e ftohtë dhe kremoze me shije kafeje është një mrekulli që mund t’a përgatisni shumë lehtë në shtëpitë tuaja.

Ndaj ndiqni hap pas hapi udhëzimet e AgroWeb.org si më poshtë.

Përbërësit

150 gr biskota

70 gr gjalpë

250 gr kos

100 gr krem djathi

100 ml pana për ëmbëlsira

2 lugë sheqer

1 filxhan kafe e përgatitur

50 gr çokollatë e shkrirë për dekor

Përbërësit

Për realizimin e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni me përgatitjen e bazës së ëmbëlsirës.

Shkrini gjalpin në një tigan për disa minuta dhe më pas fusni biskotat në një mikser.

Kur biskotat të jenë të thërrmuar plotësisht, shtoni gjalpin e shkrirë duke i përzier derisa të krijohet një masë kompakte.

Shtroni thërrimet e biskotave në një tave rrethore për pjekjen duke i ushtruar presion me anë të duarve.

Do të formohet një shtresë e hollë dhe e ngjeshur me biskota.

Më pas futeni këtë tavë në frigorifer deri në një moment të dytë kur ju duhet t’a përdorni.

Ndërkohë në një enë të thellë, bashkoni kremin e djathit me kosin, kafenë e zier, panën e ëmbëlsirave dhe sheqerin.

Trazojini me kujdes me rrahës elektrik ose me tel kuzhine, derisa kremi të ketë marrë ngjyrën e kafes dhe të jetë formuar një masë e trashë.

Nxirrni tavën me biskotat nga frigoriferi dhe shtroni në të gjithë sipërfaqen edhe kremin e përgatitur.

Shtrojeni kremin me kujdes në mënyrë që të jetë i barabartë nga të gjitha anët.

AgroWeb.org ju këshillon të shtoni sipër edhe disa copa çokollate të grira ose çokollatë të zezë të shkrirë.

Pasi të keni mbaruar me dekorin futeni në frigorifer dhe lëreni për të paktën 3-4 orë.

Nëse vendosni ta ruani në akull sigurohuni t’a nxirrni ëmbëlsirën në temperaturë ambienti 1 orë para servirjes./AgroWeb.org