Triumfi i Dafinave Shqiptare – Më Të Kërkuarat në Tregun e Austrisë

480 0

Kultivimi i dafinës po shndërrohet në një biznes fitimprurës për shumë fermerë të cilët falë mundit dhe djersës së tyre sot kanë kapërcyer kufijtë e tregut vendas drejt atyre evropiane.

Dafina, erëza me aromën e mrekullueshme që nuk mungon asnjëherë në kuzhinën e çdo familjeje vlerësohet si një nga bimët medicinale më të çmuara për trajtimin dhe kurimin e shumë sëmundjeve dhe problemeve shëndetësore.

Nëse më parë dafina rritej në gjendje të egër dhe gjendej lehtë në tregjet e fshatarëve, sot fermerët kanë nisur kultivimin e saj duke mbjellë sipërfaqe të tëra toke me fidanët e kësaj bime të bekuar.

Dashi Lame, fermer nga Lushnja tregon për AgroWeb.org se prej disa vitesh ai ka nisur kultivimin e dafinës duke mbjellë me fidanë të tillë rreth 5 dynym tokë, prej të cilave në vitin e parë të prodhimit voli rreth 1.2 ton gjethe dafine.

“Duke parë interesin në rritje të tregtarëve të huaj për bimët medicinale që prodhohen këtu dhe interesin për dafinën gjithashtu, vendosa para disa vitesh të kultivoja dafinë duke mbjellë rreth 5 dynym nga të cilat në prodhimin e parë mora rreth 1.2 ton gjethe dafinash” shprehet Lame për AgroWeb.org.

Pothuajse të githë prodhimin e parë të dafinave, Lame arriti ta shiste në Austri, tregjet e të cilës kanë një interes shumë të lartë për shumë bimë medicinale që rriten e kultivohen në Shqipëri.

Interesi në rritje i tregjeve të huaja

“Prej shumë vitesh jam lidhur me një kompani të madhe austriake e cila është shumë e interesuar për bimët medicinale që prodhohen në Shqipëri. Eksportojmë në Austri rigon, sherebelë dhe së fundmi edhe dafinën” shprehet Lame.

Duke parë suksesin me bimën e Dafinës ai shprehet se është duke vlerësuar mundësinë e zgjerimit edhe më tej të të mbjellave me dafinë.

Në fakt, Lame nuk është i vetmi fermer ka nisur kultivimin në sasi të mëdha të dafinave. Shumë fermerë të tjerë kanë mbjellë sipërfaqe të tëra toke me këtë bimë të mrekullueshme shndërrimi i së cilës në një biznes fitimprurës është i sigurtë.

Vlerat e Gjetheve të Dafinës

Që në lashtësi, besohej se natyra kishte derdhur një lumë bekimesh mbi dafinën duke e bërë atë mbretëreshën e shëndetit të mirë.

Lëngu i dafinave është padyshim një tonik i mrekullueshëm dhe i pakrahasueshëm me një ndikim të fortë në stomak, kyçe dhe muskuj.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, vlerat shëndetësore të dafinave përfshijnë: aftësinë për të pastruar organizmin, ngadalësuar plakjen, përshpejtuar shërimin e plagëve, mbrojtur trupin nga bakteret, menaxhuar diabetin, përmirësuar shëndetin e zemrës, zbutur inflamacionin, zgjidhur problemet me frymëmarrjen dhe gjallëruar tretjen.

Janë të gjitha këto vlera që e bëjnë dafinën një bimë të çmuar për shëndetin dhe shumë të kërkuar në tregun vendas dhe të huaj gjithashtu./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.