Një recetë që gjithmonë është prezente në familjet shqiptare është turlia.

Në të vërtetë ky gatim është një nga më të mirët.

Shumë amvisa nuk kanë nevojë as për një recetë, pasi mjafton të kombinojnë perimet e stinës.

AgroWeb.org ju sjell një recetë që është edhe e lehtë por edhe e shpejtë.

Në vetëm 20 minuta jo do të keni gati për ta shijuar turlinë me patëllxhanë dhe domate.

Përbërësit

1 kg me patëllxhanë

3-4 lugë vaj ulliri

1 qepë e grirë imët

2 speca të kuq dhe të verdhë të grirë

2 gota me domate te qëruara dhe të prera në kubik

2-3 lugë gjelle me majdanoz

Kripë

Piper

Përgatitja

Si fillim lani mirë patëllxhanët dhe pasi t’i keni qëruar nga kokat, pritini në copa mesatare.

Në një tenxhere hidhni pak vaj ulliri dhe lëreni të ngrohet pak.

Kaurdisni fare pak aty copat e patëllxhanit dhe më pas lërini në një pjatë.

Tek tenxherja shtoni qepën dhe skuqeni derisa ajo të ketë ulur volumin e saj.

Më pash shtoni edhe specat e prerë dhe kaurdisini për 5 minuta.

Tani është momenti që të hidhni domatet që keni qëruar dhe prerë më parë.

AgroWeb.org ju këshillon që të ulni nxehtësinë dhe ta lini domaten derisa të ketë avulluar një sasi e konsiderueshme e ujit.

Hidhni kripë dhe piper sipas dëshirës dhe më pas shtoni edhe patëllxhanët e skuqur lehtë.

Lërini në zjarr të ulët për 10 minuta duke i kontrolluar herë pas here për shijen.

Në fund shtoni majdanozin e grirë, kjo erëz i jep pjatës një freski dhe aromë fantastike.

Kur salca të jetë mpiksur pjata juaj është gati.

Mund ta shërbeni të ngohtë duke e shoqëruar me sallata me perime të stinës apo dhe me tarator me vaj ulliri dhe hudhra.

Kjo pjatë është e lehtë dhe  shpejtë, por mbi të gjitha ka plot vlera për organizmin./AgroWeb.org