Çdo perime mund të bëhet turshi, duke nisur nga kastravecat, specat, karrotat, lulelakrat, hudhrat, patëllxhanët, e deri tek lakra.

Një aspekt shumë  i rëndësishëm i përgatitjes së turshisë është freskia.

Loading...

Perimet për turshi duhet të jenë të freskëta dhe të forta.

Kështu nuk do të zbuten gjatë përgatitjes dhe koha për ruajtjen do të jetë edhe më e gjatë.

AgroWeb.org ju sjell një mënyrë fare të thjeshtë për përgatitjen e lakrës së kuqe turshi vetëm me tre përbërës.

Përbërësit

Një lakër mesatare e kuqe

5 gota me ujë

3-4 lugë gjelle me kripë të zezë

Loading...

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni në zjarr një tenxhere ku keni hedhur ujin dhe kripën, dhe përzjejeni derisa kripa të jetë tretur plotësisht.

Ndërkohë merrni lakrën, lajeni me ujë të bollshëm dhe priteni zemrën e saj e më pas ndajeni sipas gjetheve.

Këto të fundit pritini në copa të vogla me ndihmën e një thike të mprehtë.

AgroWeb.org ju këshillon që ta grini në rende, nëse doni të shkrutoni kohën që i duhet për t’u përgatitur edhe më shumë.

Pasi të kthejë valë uji me kripën, AgroWeb.org ju sugjeron që ta lini përreth shtatë deri në tetë minuta.

Kështu do të jetë formuar një tretësirë në formën e shëllirës.

Në një  kavanoz të madh vendosni copat e prera të lakrës së kuqe.

AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes pasi lakra nuk duhet të jetë ë shtypur dhe që të mos ketë ajër.

Pasi ta keni futur lakrën në kavanoz, do të hidhni ujin e nxehtë të përgatitur me kripë, derisa copat e lakrës të jenë mbuluar plotësisht.

Më pas mbylleni fort kavanozin në mënyrë që të mos marrë ajër, dhe vendoseni në një vend të freskët.

Lakra që të përgatitet plotësisht duhet të qëndrojë e pahapur përreth dy deri në tre javë, ose derisa lakra të jetë çelur në ngjyrë.

Pra nga ngjyra e fortë violë, do të jetë kthyer me një nuancë më të lehtë, gjithashtu dhe uji i turshisë do të ketë marrë ngjyrën e lakrës.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojshme, nëse dëshironi t’i largoni kripën e tepërt mjafton që ta shpëlani para se ta përdorni për recetat tuaja./AgroWeb.org

Loading...