Turshitë janë fare mirë të njohura për shijen e tyre të veçantë dhe shumë të preferuara gjatë gjithë vitit.

Tradicionale, plot vlera dhe shumë të thjeshta në përgatitje këto zahire tipike për stinën e dimrit mund t’i realizoni sa herë të doni në shtëpi.

Më të njohurat janë kastravecat turshi, lakrat, specat apo domatet megjithëse llojet e tyre s’kanë të mbaruar.

Një kombinim të veçantë të përgatitjes së turshive miks, me shumë perime njëherazi, e gjeni në recetën e sotme nga AgroWeb.org.

Kështu që mblidhni të gjitha perimet që ju ndodhen në shtëpi dhe bëjini gati për t’i bërë turshi, recetën e gjeni më poshtë nga AgroWeb.org.

Përbërësit

1.5 kg perime miks (speca, domate, kastravecë, lakra, lulelakra, kungulleshka, karrota, qepë)

1 l uthull rrushi të bardhë

100 gr kripë

100 gr sheqer

100 ml vaj ulliri

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e turshive, AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht të përzgjidhni perimet të cilat dëshironi për t’i bërë turshi.

Ju mund të zgjidhni ato që janë shënuar më lart, ose perime të tjera sipas stinës dhe dëshirës tuaj.

Më pas mund të filloni me përgatitjen, duke i larë ato me ujë të bollshëm, qëruar dhe duke i prerë në formë drejtkëndëshe.

Në varësi të perimes hiqni ose jo lëkurën, ndërsa përmasat e tyre nuk duhet të jenë më të mëdha se 4-5 cm.

Më pas në dy enë të veçanta ndani perimet, në njërën vendosni ato më të fortat dhe në tjetrën ato më të butat.

Tek të fortat futen karrotat, lulelakra, kastraveci, kungulleshkat, ndërsa tek të butat speci, domatja, lakra apo qepët.

Ndërkohë vini një tenxhere  në zjarr mesatar dhe në të shtoni uthullën e rrushit, sheqerin, kripën dhe vajin e ullirit.

Sasia e sheqerit do të balancojë dhe heqë aciditetin e uthullës për një shije më të mirë.

Kur uthulla të fillojë të ziejë, shtoni aty edhe perimet e forta që ndatë veç më parë.

Lërini ato të ziejnë për 2-3 minuta dhe kur të jenë zbutur pak shtoni edhe pjesën tjetër të perimeve.

Përzieni mirë me anë të një luge druri dhe lërini të zihen me kapak edhe për 3-4 minuta të tjera.

Zgjidhni disa kavanoza hermetike dhe të pastër për të futur perimet tuaja, mund t’ju duhen 3 kavanoza mesatarë.

Për ruajtjen

Kur perimet të jenë zier dhe të jenë ende të nxehta, merrni një lugë të madhe ose garuzhde dhe hidhni pak nga pak perimet në secilin prej kavanozave.

Kujdesuni të shtoni tek kavanozat edhe lëngun e uthullës të marrë nga tenxherja, derisa kavanozi të mbushet.

Mbyllini më pas mirë me një kapak hermetik dhe lërini në një ambient të errët për 3-4 ditë.

Në mënyrë që të marrin shijen e uthullës dhe njëra tjetrës gjatë qëndrimit mbyllur.

Sipas dëshirës mund të zgjidhni t’a konsumoni menjëherë pas këtyre ditëve ose ta ruani në rafte të mbyllur deri në një vit./AgroWeb.org