Udhërrëfyesi i Duhur Për Dhurimin e Gjakut

708 0

A e dini se mjafton vetëm një orë për të shpëtuar deri në tre jetë të tjera?

Po, për të shpëtuar jetë, duhet të dhurosh gjak.

Bëhet fjalë për 400-450 ml gjak që janë shumë të çmuara për dikë që ka nevojë për gjak siç është rasti i fëmijëve talasemikë, atyre që kryejnë kimioterapi, ndërhyrje kirugjikale, pësojnë trauma dhe lëndime të thella fizike e të tjerë.

Sipas të dhënave të vitit 2019 të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, dhurimet e gjakut në vendin tonë janë 10.7 dhurime për 1000 banorë.

Nevojat për gjak nga ana tjetër janë 20 dhurime për 1,000 banorë.

Procesi i dhurimit zgjat 10 minuta për një individ.

Studimet tregojnë se dhurimi i gjakut nuk ka pasoja negative në shëndet, se ai duhet bërë 2 herë në vit dhe se ndihmon shëndetin e zemrës, rrit prodhimin e qelizave të reja, ul rrezikun e kancerit, etj.

Si Të Dhurosh Gjak Në Mënyrë Të Sigurtë

Nëse nuk e keni bërë më parë, duhet të dini që dhurimi i gjakut nuk është aq i frikshëm sa mendohet.

Procedura është e sigurtë dhe e thjeshtë.

Por përpara se të ndërmerrni këtë hap, duhet që të siguroheni që jeni të aftë për ta bërë këtë.

Njerëzit që dhurojnë gjak duhet të jenë mbi 17 vjeç, të jenë të shëndetshëm dhe të kenë një peshë trupore minimale prej 50 kilogramësh.

Njerëzit e sëmurë me hepatit, sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe disa lloje kanceri nuk mund të dhurojnë gjak.

Njerëzit që po kryejnë kura me antibiotikë duhet të presin përfundimin e kurës dhe më pas të dhurojnë gjak.

Nivelet e ulëta të hekurit në gjak, ekspozimi ndaj sëmundjeve të transmetueshme, seksualisht ose jo, njerëzit që bëjnë tatuazhe, që përdorin drogë, gratë shtatzëna dhe ato lehonë nuk mund dhe nuk duhet të japin gjak.

Përgatitja Për Dhurimin e Gjakut

Një natë përpara se të dhuroni gjak, nuk duhet të pini alkol dhe duhet të flini mjaftueshëm gjumë.

Përpara se të dilni nga shtëpia, vishni rroba të rehatshme me mëngë të shkurtra.

Një ose dy orë përpara takimit me mjekun pini dy gota ujë, por jo pak çaste përpara dhurimit.

Para dhurimit duhet të hani ushqime të lehta dhe pa yndyrë.

Gjatë dhurimit të gjakut për të shmangur sa më shumë parehatinë, ngrijeni njërën këmbë lehtë, mbajeni ashtu për disa sekonda dhe më pas uleni në tokë dhe përsëriteni të njëjtën gjë me këmbën tjetër.

Këtë përsëriteni disa herë për të shmangur marramendjen.

Pasi të keni dhuruar gjak, duhet të merrni veten për 15 minuta dhe të pini sa më shumë lëngje.

Nuk duhet të largoheni nga spitali për të shmangur ndonjë marramendje ose të vjella të mundshme.

Në pjesën e mbetur të ditës, përpiquni të pushoni sa më shumë, të mos pini alkol e të mos ngrini pesha të rënda.

Ushqehuni shëndetshëm, pini sa më shumë lëngje dhe nëse vëreni marramendje të lehta qëndroni të shtrirë me këmbët të ngritura lehtë.

Dhurimin e dytë të gjakut,nëse keni dëshirë, mund ta bëni 56 ditë nga hera e parë dhe jo më herët./AgroWeb.org