Vaksinat Kundër Gripit Në Kohën e Koronavirusit

242 0

Autoritetet australiane po përgatiten për skenarin e një përplasjeje virozash mes gripit stinor dhe koronavirusit në hemisferën e jugut.

Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos vonojnë në marrjen e vaksinës kundër gripit pavarësisht situatës.

Në Australi, gripi stinor zgjat nga prilli në tetor dhe arrin kulmin në gusht. Në vitin 2019, Australia regjistroi stinën më të keqe të gripit të zakonshëm dhe frika është e madhe.

Mary Lousie McLaw, anëtare e Panelit Këshillues të Ekspertëve në Programin e Emergjencave Shëndetësore në OBSH tha se nëse gripi stinor merr përmasa të mëdha, gjasat e shtimit të rasteve të COVID-19 do të jenë të jashtëzakonshme.

Në vitin 2019, autoritetet australiane vunë në dispozicion 13.5 milionë vaksina kundër gripit dhe aktualisht kjo shifër është rritur në 16.5 milionë doza.

Ata thonë se përplasja e gripit të zakonshëm dhe koronavirusit është e pritshme. Sipas tyre, aktualisht, masat e distancimit fizik kanë rezultuar domethënëse në uljen e rasteve të gripit të zakonshëm.

Autoritetet shëndetësore në Kanada po marrin gjithashtu masa për të përballuar një përplasje të mundshme mes gripit stinor dhe koronavirusit.

Zyrtarët në vend kanë ndërmend të marrin masa më agresive për vaksinimin e popullatës kundër gripit stinor.

Fushata kundër gripit stinor për vitin 2020 do të foksuohet kryesisht tek popullata më e rrezikuar siç janë: të moshuarit, njerëzit me imunitet të dobët dhe ata me sëmundje të tjera.

Vaksinimi Në Shqipëri

Gjatë një seance dëgjimore me Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë të mbajtur në Shkurt,  specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi në lidhje me se sivjet autoritetet shqiptare kanë 30 mijë doza më tepër vaksina dhe planifikojnë të rrisin vaksinimin ndaj gripit.

“Për sa i përket vaksinimit sivjet ne kemi pasur një mbulim shumë të mirë, sepse pothuajse 99% e vaksinave janë konsumuar dhe kjo ka ardhur edhe falë sensibilizimit të publikut. Vaksinat kanë qenë për personelin shëndetësor, por edhe për grupet e riskut, sepse për herë të parë ne futëm fëmijët 2 deri në 5 vjeç. Mbulimi nuk është aq i lartë në këtë grupmoshë, por, natyrisht, duhet më tepër punë,” tha ajo./AgroWeb.org