Përgatitja e vezëve të ziera pa lëvozhgë apo të cilësuara ndryshe si vezë poshe është një nga mënyrat më të shëndetshme të përgatitjes së vezëve.

Zierja e vezëve në ujë pa lëvozhgë është një mënyrë që i ofron organizmit përfitimin maksimal të vlerave ushqyese të vezës.

Gatimi i vezës në këtë mënyrë është një traditë e vjetër në fakt, e trashëguar brez pas brezi nga nënat dhe gjyshet por edhe rekomandim i shumë dietologëve.

Vezët e gatuara në këtë mënyrë kanë një numër të vogël kalorish dhe yndyrnash krahasuar me vezët e skuqura apo të pjekura.

Një mënyrë fantastike për të mbajtur trupin dhe organizmin në formë, për të nisur ditën mbarë me energji dhe shëndetshëm.

Kjo metodë e gatimit te vezëve rekomandohet më së shumti edhe për reduktimin e mundësisë së humbjes së vlerave ushqyese të vezëve gjatë gatimit.

Përgatitja e Vezëve Poshe

Përbërësit

 (Për një person) 

2 vezë të freskëta

Kripë

Pak vaj ulliri

Piper sipas dëshirës

Përgatitja  

Në tenxhere apo tigan të thellë hedhim 3-4 gota me ujë dhe pak kripë.

E vendosim në zjarr dhe e lëmë të ziejë, në momentin që uji nis të vlojë thyejmë lëvozhgët dhe vezët i hedhim brenda në ujin që vlon.

I lëmë për pak minuta derisa veza të mpikset më pas e heqim me ndihmën e një luge të madhe dhe e vendosim në pjatë.

I hedhim sipër sipas dëshirës disa pika vaj ulliri dhe pak piper të zi dhe e shoqërojmë me bukë të thekur dhe të tjerë produkte për mëngjes si djathë, qumësht etj.

Vezët poshe mund t’i përdorim edhe si përbërës sanduiçi apo edhe si përbërës të sallatave të ndryshme të freskëta.

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka mëngjes më të këndshëm se vezët.

Vezët janë një burim i shkëlqyer i kompleksit të proteinave cilësore dhe nga ana tjetër ofrojnë pak kalori. Një vezë e plotë përmban 5.5 gramë proteinë dhe 68 kalori./AgroWeb.org