Xhenxhefil nga Tokat Shqiptare – Biznesi Fitimprurës

786 0

Përdorimi i gjerë i xhenxhefilit në Shqipëri ka frymëzuar fermerët vendas të nisin kultivimin e tij në parcelat e tyre.

Në mbarë botën, xhenxhefili vlerësohet jo vetëm për vlerat e tij të larta shëndetësore, por edhe si një biznes fitimprurës, i suksesshëm.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se xhenxhefili po kultivohet së fundmi në të gjithë brigjet e Mesdheut në fushë, por edhe në mjedise të mbrojtura për të shmangur ngricat e mundshme.

Edhe në Shqipëri, krijimi i kushteve të duhura klimaterike për rritjen e xhenxhefili, ka shtyrë disa fermerë ta rrisin atë në zonat bregdetare me klimë të ngrohtë.

Xhenxhefili rritet në një klimë të ngrohtë dhe me lagështirë. Kjo kulturë kërkon vaditje të mirë si nga shiu ashtu edhe nga sistemet e instaluara të ujitjes.

Një nismë e suksesshme

Në Shqipëri, vendet e ulëta bregdetare preken nga një klimë tipike Mesdhetare me dimër të butë dhe verë të lagësht.

Kjo është një klimë tipike që u vjen në ndihmë fermerëve shqiptarë që kanë nisur hapat e parë për rritjen e xhenxhefilit.

Dy prej iniciatorëve që kanë nisur këtë kultivim, thanë për AgroWeb.org se kujdesi që duhet treguar për rritjen e tij duhet të jetë maksimal, por ia vlen kur ke të bësh me një produkt kaq të rrallë.

Një prej të apasionuarve të kësaj kulture të re, Fatmir Janaqi thotë – ‘Fillimisht e nisëm si eksperiment, por pamë se çdo gjë po shkonte mbarë dhe kishim një kërkesë të paparë nga pika të caktuara të tregut për xhinxher vendi.

Kam arritur të fitoj miliona nga kjo kulturë e re, fitime që nuk i kam marrë me çdo kulturë tjetër tradicionale që kam mbjellë në vite’.

Xhenxhefili ka nevojë për plehërim të dendur dhe se zhardhoku është gati për këputje pas 8-10 muajsh nga periudha e mbjelljes, megjithatë kjo varet nga varieteti i mbjellë.

Kur është tërësisht i pjekur, gjethet e xhenxhefilit bëhen të verdha dhe kërcenjtë nisin të thahen.

Vlerat e çmuara për shëndetin 

Xhenxhefili është një produkt bujqësor shumë i rëndësishëm fitimprurës dhe i dobishëm shëndetësor. Ai përdoret shumë në mjekësinë popullore.

Xhenxhefili që blejmë në treg është varianti i plotë i bimës, por zhardhokun e gjejmë në formë pluhuri, vaji, etj. Në tregjet shqiptare, një kilogram xhenxhefil kushton 400-500 Lek.

Xhenxhefili promovon qarkullimin e mirë të gjakut, zbut kontraktimet e zorrëve dhe dhimbjet por edhe pakëson inflamacionin e shkaktuar nga një sërë sëmundjesh.

Falë vlerave të tij, xhenxhefili është përdorur edhe për të trajtuar artritin.

Ai forcon sistemin imunitar dhe për këtë arsye është bërë i pazëvëndësueshëm në trajtimin dhe parandalimin e të ftohtit të zakonshëm.

Xhenxhefili është një antioksidant i mirëfilltë. Konsumimi i tij mbron sistemin e brendshëm të organizmit nga kimikatet e dëmshme, që shkaktojnë oksidimin në organizëm.

Tashmë konsumatorët shqiptarë do të kenë mundësi të përfitojnë vlerat fantastike shëndetësore të këtij produkti të ardhur direkt nga parcelat vendase./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.