Muaji Prill – Gati për Perime dhe Fruta në Vazo

1.3k 0

Ka kaluar një muaj që kur bëra mbjelljet e pranverës dhe tashmë gjelbërimi i është shtuar ballkonit tim.

Filizat e domates janë rritur e forcuar dhe lulet e verdha të saj kanë shpërthyer ngado.

Me specat nuk pata shumë sukses. Ato nuk po merrnin shumë zhvillim ndaj pyeta rreth tyre.

Një gabim që mund të kisha bërë me to është se i kisha mbjellë shumë thellë. Ndaj me të mësuar këto i bëra një rivendosje, i nxorra më në sipërfaqe dhe duket sikur janë mirë.

Vazo me luleshtrydhe është harlisur totalisht, vetëm lule dhe kokrra. E meqë ky frut është shumë i ndjeshëm sepse ka kontakt të drejtëpërdrejtë me tokën, mora një qese dhe e sistemova mbi dhe’ duke bërë që fruti të rritet mbi të dhe jo në tokë.

Ju kujtohen ato filxhanët e kafesë që i mbolla me farë kopre dhe majdanozi? Duhet t’i shihni si kanë ndryshuar. Janë mbushur plot e përplot e në fund të muajit bëhen gati për përdorim.

Nëse dhe ju keni vepruar si unë, pra i keni mbjellë në filxhanë mund t’ia ndryshoni vendin e t’i mbillni në vazo më të mëdha pasi ato shumëfishohen.

Sallatën e mbjellë në fillim të marsit edhe për një javë e kam gati për përdorim. Për të mos mbjellë sërish sallatë, por të përdorni rrënjën që keni, ju mund të ndiqni këtë rregull. Kur tufa e sallatës të jetë e plotë për t’u vjelë, mos e shkulni nga dheu.

Me anën e një gërshëre apo thike, priteni kërcellin rreth 5 centimetra mbi tokë. Rrënjën e mbetur vazhdoni ta ujisni një herë në ditë apo çdo dy ditë dhe tek ajo do ju mbijë një tjetër tufë sallate. Kjo ju kursen kohë e mund dhe pak para.

Tani në prill është koha ideale për mbjelljen e kungujve e patllixhanëve.

Vendosa të marr vetëm 5 fidanë kungull deri sa të krijoj mundësinë të gjej një vend edhe për patllixhanët me të cilat vjet kam shtyrë gjithë verën, sepse një rrënjë prodhon disa herë. Mora kungull të vockël sepse ai ecën shpejt dhe përdorimi i tij në supëra është më i madh se i patllixhanit.

Ndoqa të njëjtën teori, përzjeva dheun e vjetshëm me të ri, i shtova hi sobe dhe çdo gjë shkoi perfekt. Ju do të pyesni se ku e gjej hirin e drurit sepse u bë kohë që s’i kemi ndezur sobat e oxhakët. Po ju them një tjetër truk.

Hirin që mblidhni, futeni në një kavanoz të madh dhe përzijeni me ujë deri sa të bëhet si brum. Futeni diku në ndonjë dollap e sa herë t’ju duhet merrni disa lugë prej tij e shtojani dheut. Hirin dikur e përdornim dhe për të larë robat e bardha, kështu që të njëjtën përzierje mund ta përdorni edhe për të larë ndonjë bluze që ju ka marrë si të verdhë, bën shumë efekt.

Kështu e kalova ditën e shtunë, duke u marrë me ballkonin tim që përveç se më kënaq syrin, më heq stresin, por më jep dhe produkte të shijshme që rrallë mund ti gjesh në tregje. Bëjeni dhe ju, është muaji perfekt për mbjellje, e s’ju kushton asgjë./AgroWeb.org

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org.