Festa e Roshnikut, Oazi i Produkteve Bio – 14-15 Shtator

409 0

Roshniku i njohur për fiqtë, vreshtarinë, frutikulturën dhe blegtorinë, në datat 14-15 shtator 2018 ju mirëpret në “Festën e Roshnikut”, si një destinacion eko-turistik që kërkon të pasurojë përvojën e turistëve që vijnë në Berat, duke rritur kohën e qëndrimit të tyre në zonë.

Festa e Roshnikut ka si qëllim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik të zonës duke u bazuar në zhvillimin e produkteve e zonës si dhe zhvillimit të turizmit të brendshëm dhe të huaj.

Nëse zgjidhni të kaloni këto dy ditë në Roshnik do të përjetoni nga afër eksperiencën e vjelies e përpunimit të fikut dhe rrushit, pikërisht në pikun e sezonit turistik të Beratit, në zemër të shtatorit.

Disa kilometra nga Berati, nën këmbët e malit Tomor, shtrihen disa fshatra, si: Roshniku, Kostreni, Bogdani, Vojniku, Drenova, Karkanjozi, Mimiasi etj.

Epiqendra e tyre duket se është kthyer fshati Roshnik, si Njësi Administrative e Bashkisë së Beratit, por edhe për faktin se aty cdo vit tashmë në muajin shtator është kthyer në traditë organizimi nga Bashkia e Beratit e “Festës së Roshnikut”, në të cilën fermerët e zonës ekspozojnë prodhimet e tyre në panairin e produkteve bujqësoro – blegtorale.

Për nga begatia, historia, kultura dhe trashëgimia duket se këto fshatra janë të bekuara nga Baba Tomori.

Ato dallohen për shumëllojshmërinë dhe origjinalitetin e prodhimeve të ndryshme bujqësore dhe blegtorale, të cilat çmohen dhe vlerësohen kudo nën markën “Made in Tomori”.

Natyra e bukur, toka pjellore dhe klima e përshtatshme fovorizojnë rritjen e disa prej kulturave bujqësore, sidomos në frutikulturë, si: rrushin, fiqtë, arrat, bajamet, kumbullat, mollët etj., të cilat përpunohen nga zanatçinjtë e kësaj zone duke krijuar disa nga nënproduktet e tyre, siç është vera, rakia, kompostot, reçeli etj.

Ndërsa nga produktet blegtorale vlerësohen mjaft mishi, gjalpi, djathi etj, të cilat njihen tashmë për cilësinë e tyre të veçantë.

Produktet e tyre bio dhe me shije krejtësisht natyrale janë mjaft të kërkuara jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe për eksport.

Njerëzit punëtorë dhe meraklinj të kësaj zone e shohin zhvillimin e agrobiznesit si një nga mundësitë më të mira për rritjen e të ardhurave të tyre ekonomike.

Mikpritja e banorëve të zonës, me traditat, zakonet, respektin që ata kanë për  mysafirët, e kanë shndërruar Roshikun në një vend thuajse ekzotik, të lakmueshëm për çdo njeri.

Këngët, vallet, dollitë, gëzimi, hareja janë ritualet e kësaj feste, e cila mbledh çdo shtator adhuruesit e traditës dhe të natyrës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.