Një sipërfaqe e tërë toke, e shtrirë pak kilometra jashtë Tiranës, pranë Rinasit, të ndjell me aromën e mrekullueshme saj.

25 lloje erëzash të freskëta nga borziloku, rozmarina, nenexhiku, majdanozi, kopra, sherebela, hithra, mentja, e shumë erëza të tjera të panjohura si erëza e estragonit e njohur në EuroAzi e Amerikë, shtrihen në hektarë të tërë toke, duke krijuar vijëza të gjelbra, të rregullta e të drejta me praninë e tyre.

Një fermë e mrekullueshme zbukuron gjithë zonën përreth, teksa mozaiku i aromave të të mbjellave aty fluturojnë larg drejt tregut zviceran, i cili tashmë është marrosur pas shijes së tyre.

Prej 25 vitesh, Arben Islami pronar i kësaj ferme të mbushur me të gjitha delikatesat pa të cilat sot, kulinaria në botë nuk do të kishte kuptim e aq shije vijon me një përkushtim maksimal të prodhojë këto bimë të mrekullueshme me sukses në tokën e tij.

Fama e Erëzave Shqiptare Përtej Kufijve të Shqipërisë

Fama e erëzave të kësaj ferme ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Tregjet e huaja, jo vetëm të Europës por edhe më larg i kanë kthyer sytë nga Shqipëria.

Mbi të gjitha shtetet dominon Zvicra, në tregun e së cilës, nga konsumatorët tek restorantet më prestigjiozë nuk mungojnë asnjëherë erëzat e Shqipërisë, prodhuar në fermën fantastike diku pranë Rinasit.

“Jemi prej 25 vitesh në tregun vendas dhe në mënyrë të përhershme edhe në tregun e jashtëm. Janë bimë aromatike që kanë si destinacion kuzhinën.

Tregu jonë kryesor është në Zvicër. Kemi një kërkesë shumë të lartë nga Zvicra, madje sa më shumë rrisim prodhimin aq më shumë rritet kërkesa nga ky shtet.

Interesi është i lartë, kemi arritur me shumë sukses të eksportojmë deri në Toronto, Kanada. Por për momentin dominon Zvicra. Dërgesat tona drejt tregjeve të huaja jnë 3-4 herë në javë” shprehet Islami për AgroWeb.org.

Sipas tij, të gjitha erëzat janë të kërkuara njëlloj. Ka një interes më të lartë për borzilokun, por asnjë nga erëzat e tjera nuk mbetet pas.

Islami tregon për përkujdesin maksimal që tregohet në rritjen e të gjitha këtyre bimëve në mënyrë sa më natyrale.

“Të gjitha janë të kërkuara njëlloj. Kërkesë më shumë në sasi  ka për borzilokun e freskët. Janë delikatesa që duhet të jenë të gjitha në treg.

Të gjitha erëzat janë natyrale, tokën shqiptare e favorizon jashtëzakonisht klima. Edhe tani që ne flasim, erëzat vijojnë të rriten në mënyrë natyrale” shprehet Islami.

Biznes, Pasion dhe Delikatesë

E gjithë jeta e tij i është dedikuar këtij pasioni. Pasion, i cili falë lodhjes dhe përkushtim e ka shndërruar atë sot në një ndër fermerët më të sukseshëm në vend dhe jashtë tij përsa i përket kultivimit të erëzave.

“Gjithçka ka të bëjë me pasionin. Është një biznes shumë i bukur por që kërkon shumë përkushtim. Kemi 25 vite që vijojmë këtë biznes dhe realisht dy ditë bashkë pushim nuk i kemi bërë.

Sepse këto delikatesa kërkojnë t’i trajtosh me delikatesë gjithashtu që të mbeten të tilla e të freskëta që në momentin kur këputen derisa shkojnë tek konsumatori” shprehet Islami për AgroWeb.org

Sipas tij, 25 lloje të ndryshme erëzash që ata kultivojmë janë 25 teknologji të ndryshme me specifikat e tyre përkatëse.

“Çdo ditë të hënë deri në orën 6 pasdite duhet të japim mundësitë që kemi për furnizime për javën e ardhshme. Është një punë tepër impenjative. 50 për qind ato mund të ngjajnë me njëra tjetrën por 50 % janë të ndryshme.

Kërkojnë një përkujdesje të veçantë ashtu si fëmijët. Janë aq delikate dhe duhen trajtuar si tillë, sa që edhe transporti i tyre për eksport bëhet me avion.” shprehet Islami./AgroWeb.org