Reçeli i lulerradhiqes është një ëmbëlsirë befasuese, e shijshme dhe krejt unike.

Lulet ngjyrëverdhë të lulerradhiqes përdoren në përgatitjen e këtij mjalti që bëhet shumë mirë dhe thjeshtë në kushtet e shtëpisë.

Reçeli i lulerradhiqes mendohej të ishte një mision i pamundur. Por sot, sipas të dhënave të AgroWeb.org shumë prodhues reçeli në vend e kanë shndëruar reçelin e lulerradhiqes në një nga produktet kryesore.

Kush e kishte menduar që këto lule të bukura mund të transformoheshin aq lehtë në një reçel që ka shijen dhe paraqitjen e mjaltit.

Kur e sheh dhe provon për herë të parë, reçeli i lulerradhiqes të jep ndjesinë e një aventure të papërsëritshme shijesh dhe aroma.

Lulerradhiqet mblidhen shumë lehtë nëpër lëndina dhe male por ato mund të gjendet edhe në tregjet e vogla të fshatarëve.

Ato që rriten në natyrë janë të pastra, ndaj nëse zbuloni këto shtresa të verdha e të bukura mos hezitoni të mblidhni tufat e luleve dhe t’i bëni reçel në shtëpi.

AgroWeb.org i’u përcjell më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së këtij reçeli unik në shtëpi.

Ky reçel është fantastik për mëngjeset, shoqërohet me bukë të thekur ashtu si edhe me një gotë qumësht.

Gjithashtu, reçeli unik i lulerradhiqes mund të përdoret në kombinimin e ëmbëlsirave të ndryshme, si kek, torta shtëpie, biskota etj.

Përgatitja e reçelit të lulerradhiqes

Përbërësit

2 filxhanë të mbushur plot me petale lulerradhiqesh

2 gota me ujë

1 filxhan me sheqer organik

4 lugë çaji me pektinë pa sheqer (e gjeni në supermarkete)

2 lugë çaji me lëng limon

Përgatitja 

Ziejeni ujin në një tenxhere dhe shtoni petalet e lulerradhiqeve

Uleni zjarrin dhe mbajeni tenxheren mbuluar për 10 minuta.

Lëreni të ftohet dhe më pas kullojeni duke përdorur një napë. Mbajini petalet mënjanë. Ziejeni çajin edhe njëherë në një zjarr mesatar.

Shtoni sheqerin dhe pektinën deri sa të shkrihen.

Përzijeni lëngun vazhdimisht deri sa të valojë. Më pas vendoseni matësin e kohës në një minutë.

Vazhdoni me përzierjen edhe gjatë zierjes, pavarësisht bulëzave.

Pas zierjes, vendoseni masën e nxehtë nëpër kavanozat e bërë gati.

Mbyllini kapakët dhe lërini të ftohen. Futini në frigorifer ku mund t’i mbani për disa javë./AgroWeb.org