Bamja e Thatë, Zahirja e Vlerave

529 0

Ditët e sotme përbëjnë kohën perfekte kur amvisat shqiptare nisin të përgatisin zahiretë e dimrit. Bëhet fjalë për një proces përgatitjeje dhe ruajtje e ushqimeve tradicionale të destinuara për konsum për muajt e ftohtë të dimrit.

Gjatë kësaj kohe, në shumë zona të Shqipërisë, gratë dhe gjyshet nisin të përgatisin tushitë, trahananë, petkat, mishin e thatë apo frutat dhe perimet e thata siç janë fiqtë, mollët, rrushi, kajsitë, kumbullat, domatet dhe specat.

Së fundmi, amvisat shqiptare po praktikojnë një recetë të re: bamjet e thata, të cilat janë të shijshme dhe plot me vlera ushqyese. Tharja e bamjeve është një proces i thjeshtë.

Mjafton të keni një furrë me temperaturë 60 gradë celcius. Lajini, hiqini pjesën e kurorës dhe prijini diagonalisht në copëza të vogla.

Më pas vendosini një e nga një mbi një letër gatimi dhe futini në furrë për t’i tharë nga 16 deri në 20 orë. Periudha e tharjes së bamjes ndikohet edhe nga qarkullimi i ajrit, ndaj rekomandohet përdorimi i një freskuese në drejtim të derës së hapur të furrës.

Bamja e thatë ofron një sërë vlerash ushqimore. Ajo përmban sasi domethënëse të acidit folik dhe vitaminës B6.

Vlerat shëndetsore të bamjes së thatë

Fibra

Në 15 gramë bamjesh të thata gjenden 3.3 gramë fibër dietike e cila ndihmon sistemin tretës dhe lëvizjen e zorrës së trashë duke parandaluar kostipacionin dhe diarenë.

Ushqimet e pasura me fibër dietike ulin nivelin e kolesterolit dhe mbajnë nën kontroll nivelet e sheqerit në gjak. Nëse dëshironi të humbisni në peshë, konsumi i bamjeve të thata ju ndihmon duke ju bërë të ndiheni të ngopur dhe duke parandaluar ngr&eueuml;nien e tepërt apo konsumin e ushqimeve të pashëndetshme.

Vitaminat

Bamja e thatë është plot e për plot me vitamina A dhe C. Në një sasi prej 15 gramësh bamjesh të thata gjenden 97 përqind e dozës së rekomanduar ditore të vitaminës A e cila i bën mirë lëkurës dhe qelizave të kockave.

Vitamina A ndihmon edhe shikimin dhe organet riprodhuese. Në një sasi prej 15 gramësh bamjesh të thata gjenden 216 përqind të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës C e cila ndihmon organizmin të prodhojë kolagjen, të mbrojë enët dhe kapilarët e gjakut.

Ushqimet e pasura me vitamin C e ndihmojnë organizmin të përthithë hekurin.

Mineralet

Në një sasi prej 15 gramësh bamjesh të thata gjenden edhe 84 përqind të dozës së rekomanduar ditore të kalciumit që ruan shëndetin e kockave dhe mban sëmundjet si osteoporoza larg.

Nëse nuk konsumoni produktet e bylmetit, atëherë bamja e thatë është një ushqim ideal për të marrë kalciumin e nevojshëm. Duke ngrënë një sasi prej 15 gramësh bamjesh të thata do të përfitoni edhe 33 përqind të dozës së rekomanduar ditore të hekurit.

Nëse nuk hani mish dhe vuani nga nivele të ulëta të hekurit atëherë konsumoni më shumë bamje të thata.

Ushqyes të tjerë

Bamja e thatë është një ushqim që i bën mirë zemrës. Një filxhan e gjysmë me bamje të thata përmban 2.5 gramë proteina që ndihmon organizmin të shërohet duke riparuar dhe prodhuar qeliza të reja.

Ngrënia e kësaj sasie të bamjeve të thata shton 10 gramë karbohidrate në ushqimet tuaja. Karbohidratet ndihmojnë në funksionin e saktë të trurit dhe sistemit nervor. Enzimat e organizmit transformojnë karbohidratet në glukozë që më pas përdoret si energji./AgroWeb.org