Në ka një pjatë shqiptare që të hap menjëherë oreksin dhe nepsin për ta shijuar, ajo është fërgesa, një traditë e hershme e kuzhinës shqiptare.

Traditë e Shqipërisë së Mesme kryesisht, por e gatuar me mjeshtëri nga amvisat në të gjitha trevat shqiptare, fërgesa mbetet një nga recetat më të shijshme të kuzhinës tradicionale shqiptare.

Loading...

Fantastike për të shoqëruar vaktet e drekave apo darkave, në ditë festash, gëzimesh familjare apo edhe ditë të zakonshme, fërgesa i shton shije çdo gatim sidomos atyre tradicionalë shqiptare.

Kjo recetë mund të kombinohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, supa dhe byrekë të ndryshëm, sallata të stinës etj

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së fërgesës shqiptare krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Fërgesës Tradicionale  

(Përbërësit më poshtë për 4-5 persona)

Përbërësit

4-5 kokrra domate

4-5 speca te gjelbër ose kuq

4 thelpinj hudhër

Kripë

Piper

Vaj ulliri

3 kokrra vezë

6 lugë gjizë

Spec djegës

Majdanoz

Përgatitja

Pastrojmë me ujë të rrjedhshëm domatet dhe specat.

Specat i presim në rrathë të hollë ose në shirita.

Vendosim një tigan të madh në zjarr. Më pas AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni në të vajin e ullirit dhe specat. Shtoni hudhrat e grira ose të shtypura dhe lërini bashkë të skuqen për pak duke i kaurdisur.

Domatet i grijmë në rende për t’i bërë si pure ose i kalojmë në mikser.

Purenë e domateve e shtojmë tek tigani ku kemi specat.

Hedhim kripë dhe i lëmë të zjejnë derisa salca të jetë bërë e trashë dhe vaji ullirit të dalë në sipërfaqe.

Në këtë moment , fërgesën e heqim nga zjarri, i shtojmë gjizën e e kavërdisim.

Më pas shtojmë tre vezët e rrahura, i përzjejmë mirë, shtojmë piperin djegës dhe majdanozin e grirë hollë.

Të gjithë masën, pasi e kemi përzjerë mirë e vendosim në një tavë balte dhe e fusim në furrë të parangrohur për 10 minuta duke e kavërdisur disa herë.

Ose në mungesë të tavës së baltës pasi hidhni gjizën vendoseni sërish në zjarr duke e lënë për 3-4 minuta duke e kaurdisur./AgroWeb.org

Loading...