Kuzhina gjirokastrite spikat në kulinarinë shqiptare me larmishmërinë dalluese të saj në gatimet tipike tradicionale, shijeplota dhe me famë kudo në botë.

Gatimet gjirokastrite janë ndër më të vjetrat e traditës shqiptare. Recetat dhe shija e tyre fantastike dhe mjeshtëria e gatimeve të amvisave gjirokastrite është padyshim një ndër thesaret e çmuara të kuzhinës sonë.

Duke nisur nga pashaqoftetë, qifqitë (qoftet me oriz), byrekët e ndryshëm, gjellët tipike, ëmbëlsirat e ndryshme, bakllavaja etj.

Gratë nikoqire gjirokastrite shquhen për gatimet e tyre speciale e prej shekujsh kanë mahnitur këdo vizitor të huaj e vendas, miq e mysafirë kur shtronin sofrën plot gatime tradicionale.

Të përgatitura në mënyrë perfekte, me masat e sasitë e duhura, me produktet më të freskëta e më të shijshme, çdo pjatë e gatuar nga amvisat gjirokastrite të mahnit me shijen dhe aromën e saj, duke ndjellur oreksin dhe nepsin për t’i shijuar menjëherë.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë një nga gatimet më tipike e më të shijshme të kuzhinës gjirokastrite, qifqitë, një gatim fantastik për t’u shijuar bashkë me familjen.

Një gatim i thjeshtë  por shumë i shijshëm e mbi të gjitha fantastik për t’u shërbyer në tryezë si meze në shoqërimin e gatimeve të tjera tradicionale.

Përgatitja e Qifqive Gjirokastrite në Shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit përzgjidhen në bazë të numrit të personave në familje)

Për një gotë oriz duhen:

3-4 kokrra vezë

5 lugë vaj ulliri për skuqje

Kripë

Piper

Nenexhik

Përgatitja  

Orizi pastrohet, lahet dhe vendoset të zjejë në ujë të valuar me kripë derisa të përgatitet si pilaf i thatë.

Hiqet nga zjarri. Lihet të ftohet pak dhe duke e përzjerë me lugë druri, hidhen vezët një e nga një.

Shtohet nenexhik, kripë dhe piper.

Në një tigan të posaçëm me gropa hidhet vaji ulliri, në secilën prej gropave hidhet nga një lugë nga masa e brumit të qofteve me oriz e vezë.

Skuqen nga të dyja anët./AgroWeb.org