Supa Krem Domate – Plot Shije dhe Vlera për Shëndetin

3.2k 0

Në ditët e freskëta, ngrohtësia shpesh gjendet në një pjatë me supë. Ajo me domate është e ngrohtë dhe plot shije, madje vështirë t’i thuash jo.

Supa është një ushqim ideal për stinën e vjeshtës dhe dimrit. Në AgroWeb.org keni gjetur receta të ndryshme për supa të shijshme që mund të konsumohen në drekë ose në darkë, duke ju lejuar të merrni pak kalori por shumë ushqyes dhe vitamina.

Supa me domate dhe borzilok rekomandohet jo vetëm e ngrohtë për vjeshtën e dimrin, por edhe e ftohtë gjatë mbrëmjeve të freskëta të verës, kur si domatja ashtu edhe borziloku janë në pikun e freskisë.

Nëse ju pëlqejnë supat, atëherë me siguri do t’ju pëlqejë edhe kjo recetë.

Domatet e pjekura ose të gatuara kanë tetë herë më shumë antioksidantë se domatet e gjalla.

Supa në këtë recetë përmban disa prej produkteve më të shëndetshme për ju dhe është e përshtatshme si për ata që i janë nënshtruar një regjimi të rreptë ushqimor por edhe për ata që janë prekur nga i ftohti dhe ndryshimi i motit.

Supa me domate ofron një sërë përfitimesh shëndetsore sepse është e pasur me fitoushqyes, vitamina dhe minerale të dobishme.

Supa përmban likopen, i cili është antioksidanti dhe pigmenti që i jep domateve ngjyrën e kuqe. Likopeni neutralizon radikalet e lira dhe molekulat e dëmshme që shkaktojnë plakje të parakohshme.

Ushqimet e pasura me likopen luftojnë sëmundjet kronike përfshirë goditjen në tru.

Në një filxhan me supë me domate gjenden 13.3 miligramë likopen.

Supa e Domates në Kushtet e Shtëpisë

Përbërësit

500 gramë domate të freskëta

2 lugë gjelle me vaj ekstra të virgjër

1 karrotë të copëtuar

1 kërcell selinoje të copëtuar

2 thelpinj hudhër të grirë hollë

2 qepë mesatare të grira

Borzilok të freskët (çerek filxhani)

Pak spec djegës

1 gjethe dafine

Gjysëm luge çaji me kripë deti

2 filxhanë më lëng perimesh me pak kripë

Udhëzimet

Ndizeni furrën në 200 gradë.

Ndajini domatet në gjysmë dhe vendosini mbi një letër pjekjeje. Hidhni sipër tyre një lugë me vaj ulliri.

Palosini cepat e shtresës së letrës së pjekjes që të shmangni derdhjen e lëngjeve dhe futeni në furrë për 20 minuta.

Më pas, kavërdisni karrotat dhe selinonë një një tigan të vogël duke përdorur lugën tjetër të vajit të ullirit. Kavërdisini deri sa të zbuten ose për 10-15 minuta.

Shtoni hudhrën dhe qepën. Uleni temperaturën dhe vazhdoni kavërdisjen edhe për 4 minuta të tjera.

Hiqini domatet nga furra dhe lërini të ftohen për 15 minuta. Qërojini dhe hidhini lëkurat. Nëse dëshironi mund t’i kaloni domatet në rende që të hiqni farat.

Shtoni të gjithë përbërësit në një mikser, përveç lëngut të perimeve dhe përzijini deri sa të marrin formën e puresë.

Përzijeni atë me lëngun e perimeve dhe zijini së bashku për 15-20 minuta. Hiqni gjethen e dafinës dhe servireni të ngrohtë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.