Ushqimet Që Ngrohin Ditët e Ftohta

202 0

Kalimi nga Nëntori në Dhjetor ndikon më gjerë sesa veç tek ndryshimi i garderobës apo rritjes së faturës së energjisë elektrike që të ftoh xhepin.

Ai ndikon edhe në trupin tonë, duke ulur metabolizmin dhe nivelin e energjive.

Pavarësisht shtimit të urisë në ditët më të ftohta, kjo nuk do të thotë aspak që duhet të ushqehemi në mënyrë të pashëndetshme.

AgroWeb.org ka përgatitur një guidë me disa nga frutat dhe perimet që duhet të hani gjatë ditëve të edhe më të ftohta që po afrojnë.

Shegë

Shega është fruti që mbretëron fort në këtë kohë. Në Shqipëri shegët rriten më shumë në Shkodër dhe Burrel, ku ka dhe më pak lagështirë.

Shegët janë kombinimi perfekt mes të athtës dhe të ëmblës. Shtojani sallatës, ose hajini ashtu siç janë. Gjithashtu mund t’i zieni duke bërë kështu një shurup të shkëlqyer shege.

Gjysëm filxhani me shegë ka rreth 70 kalori, 16 gramë karbohidrate dhe 3.5 gram fibra.

Ky frut i bukur gjithashtu ka dhe vitaminë B. Ngjyra e thellë e kuqe e tij nënkupton gjithashtu që ai përmban antioksidantin antocianinë.

Studimet kanë treguar se shegët janë të pasura me plot antioksidantë dhe ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Kur t’i zgjidhni, shihni për ato që janë më të rënda, pasi do të jenë dhe më të shijshmet.

Shegët mund t’i ruani në frigorifer deri në katër javë, ndërkohë që kokrrat mund të ruhen tek ngrirja për më shumë se gjashtë muaj.

Agrume

Shija e thartë dhe e ëmbël e agrumeve është e pagabueshme. Agrumet si portokallet, qitrot, limonat, i japin shije ditëve të ftohta.

Mandarinat, portokallet janë një ushqim i përkryer midis vakteve dhe përveçse kanë shumë shije ato janë dhe tejet të shëndetshme.

Agrumet janë një burim i shkëlqyer vitamine C. Ato gjithashtu përmbajnë potas, tejet i rëndësishëm për balancimin e elektoliteve.

Plus, agrumet përgjithësisht kanë shumë pak kalori. Një mandarinë përshembull ka 50 kalori dhe 2 gram fibra.

Një qitro ka rreth 100 kalori dhe përmban 4 gram fibra. Fibrat ndihmojnë për të stabilizuar sheqerin në gjak dhe nivelin e kolesterolit, duke e mbajtur urinë nën kontroll.

Kivi

Shija e kivit është aq e fortë sa dhe ngjyra e tyre jeshile. Fruti jeshil, që mbështillet nga lëkura kafe me push e ka origjinën nga Kina.

Në Shqipëri disa fermerë po e rrisin këtë frut ekzotik në disa plantacione, duke u nisur dhe nga kërkesa e lartë që ka për të.

Kivit janë gjithashtu dhe shumë vitaminoze; ato kanë më shumë vitaminë C se portokallet plus që ato janë të pasura me vitaminë A dhe K. Një kivi e vogël përmban 40 kalori, 10 gram karbohidrate dhe 2 gram fibra.

Hurma

Ky frut tejet interesant na fal aq shumë ëmbëlsi dhe shije saqë është e vështirë t’i rezistosh.

Zona e Tiranës njihet për plantacionet e mëdha me hurma, çka tregon dashurinë e madhe të kryeqytetasve për këtë frut ekzotik. Por dhe zona e Elbasanit nuk mbetet pas në prodhimin e hurmave.

Zgjidhni ato që janë me ngjyra të forta dhe që kanë peshë.

Mos u shqetësoni nëse janë të buta apo kanë “damarë” të zinj”, thjesht është tregues se janë të pjekura mirë. Hurmat duhet të mbahen në temperaturën e mjedisit derisa të piqen plotësisht.

Më pas ato mund të mbahen në frigorifer dhe mund të ruhen për disa javë. Hurmat kanë afërsisht 100 kalori dhe 30 gram fibra për një kokërr si dhe vitaminë A.

Lakër

Lakra është një perim kaq i larmishëm dhe i lirë saqë e bën atë një super produkt për ta pasur në kuzhinë gjatë ditëve të ftohta të dimrit.

Lakra mund të përdoret në disa mënyra. Mund ta zieni dhe më të bëni supë, por dhe mund ta bëni sallatë.

Nëse doni një sanduiç në vend të bukës, perimet tuaja mund ti mbështillni me lakër. Lakra ka dy varietete, që përfshijnë atë jeshile dhe të kuqe.

E pagatuar ajo përmban vitamina A, C dhe K. Studimet tregojnë se vitamin K ndihmon me shëndetin e kockave duke rritur densitetin e kockës dhe duke ulur rrezikun e ostoperozës.

Lakra është e shkëlqyer për t’ia shtuar çdo ushqimi duke qenë se përmban pak karbohidrate me vetëm 22 kalori dhe 5 gram karbohidrate për një tas.

Fasule

Fundvjeshta dhe fillimi i dimrit është periudha e vitit ku fermerët vjelin fasulet nga arat e tyre. Në Shqipëri llojet më të përdorura të fasuleve janë e bardha dhe e kuqja me një dominancë të së bardhës.

Duke qenë e pasur me fibra dhe proteina, fasulja mbetet një ushqim i preferuar për shqiptarët, për më tepër tejet i shëndetshëm dhe plot proteina bimore.

Zgjidhni fasule që janë të forma të plota sa më të bardha dhe të pastra të jenë aq më të mira janë. Fasulet hyjnë tek produktet që mund t’i ruani për një kohë të gjatë.

Mjafton që t’i vendosni në një vend të thatë dhe do të mund t’i ruani gjatë të gjithë vitit. Për t’i ulur kohën e zierjes, mund t’i vendosni fasulet një natë më parë në ujë që të zbuten dhe më pas mund t’i zieni, duke i shtuar qepë dhe zarzavate të tjera sipas shijes./AgroWeb.org